Në cilat shtete të SHBA merret vendimi? A ka gjasa teorike të fitojë Biden? Sipas një kryeministri të rajonit afërballkanik, Trump tashmë ka fituar… (Një freskim lajmesh)
– Si më 2016 edhe sivjet në fokus kanë mbetur këto shtete amerikane Michigan (16 elektorë), Wisconsin (10) dhe Pennsylvania (20).
Këtu vendoset se kush do të bëhet president. Ose ndoshta jo: ka edhe një skenar tjetër, që shpjegohet më poshtë në këtë shënim.
– Votat e atyre që kanë votuar me postë, numërohen në fund. A mund ta shpëtojnë këto Joe Bidenin? Ndoshta. Por e sigurt nuk është.
– Në Philadelphia, qytet me 1,5 milionë banorë, të mërkurën në mëngjes ishin të numëruara vetëm një e pesta e votave të ardhura me postë.
– Ndarja e SHBA-ve kësaj radhe bëhet edhe më e qartë: në zonat urbane fitojnë kryesisht demokratët, në zonat rurale republikanët, shkruan “Süddeutsche Zeitung”.
– Biden e ka fituar Arizonën (11 vota elektorësh). Sipas një skenari të “Frankfurter Allgemeine Zeitung”: edhe nëse Biden humb në shtetin Pennsylvania, ai bëhet president nëse fiton Nevadën, Wisconsin dhe Michigan, por edhe katër vota elektorësh nga Maine.
Kësisoj do të mblidhte 270 vota në atë që quhet “Electoral College” (kolegji elektoral). Sipas këtij skenari Biden fiton edhe pa Pennsylvania, North Carolina dhe Georgia. Por kjo tash për tash duket më shumë teori.
– Ekipi i Joe Bidenit e ka quajtur fjalimin e Trumpit “skandaloz, të pashembullt dhe të rrejshëm”. Trump shpalli fitoren dhe kërkoi të ndërpritet numërimi.
– Brenda Bashkimit Europian ekzistonte shpresa se në shtetet anëtare do të mbretërojë heshtja derisa të dihet kush fitoi në SHBA.
Popullisti slloven Janez Jansha, i cili është kryeministër, tashmë e ka “shpallur” Trumpin fitues – nga Lubjana.