Një protestë për zhdukjen e filmit «Plumba perandorit» nga kanali im në YouTube
Miq, prej disa ditësh po marr mesazhe nga njerëz që kërkojnë të shohin filmin «Plumba perandorit», por më thonë se nuk e gjejnë më në kanalin tim në YouTube.
Ky lajm më ka befasuar dhe indinjuar.
Filmi është vendosur nga unë në kanalin tim ndoshta dhjetë vjet më parë. Ka qenë i aksesueshëm për publikun dhe nuk kam pasur asnjë njoftim se do të hiqej apo se ekzistonte ndonjë problem me të.
Sot, kur mësoj se nuk gjendet më, lindin disa pyetje që kërkojnë përgjigje:
Kush e ka hequr? Me çfarë të drejte? Mbi çfarë arsyeje? Dhe, mbi të gjitha, kush mund të marrë përsipër të zhdukë nga qarkullimi një vepër filmike pa njoftuar autorin apo personin që e ka publikuar?
Nuk përjashtoj mundësinë e një ndërhyrjeje nga RTSH, por nuk kam ende prova për ta pohuar këtë. Pikërisht për këtë arsye kërkoj transparencë dhe një përgjigje zyrtare.
Nëse kjo ndërhyrje ka ardhur nga RTSH, atëherë kemi të bëjmë me një veprim që kërkon shpjegim të menjëhershëm. Një institucion publik që administron një pjesë të rëndësishme të kujtesës audiovizuale shqiptare duhet të jetë i pari që e mbron atë, jo të krijojë pengesa për qarkullimin e saj.
Filmi nuk është një objekt që mund të zhduket sipas vullnetit të dikujt. Ai është dëshmi e një kohe, e një pune krijuese dhe e historisë sonë kulturore.
Të heqësh një film nga qarkullimi pa transparencë nuk është thjesht një veprim teknik. Është një ndërhyrje në kujtesën kulturore.
Unë kërkoj të di të vërtetën. Kushdo që ka ndërhyrë, le të japë shpjegim.
Kujtesa filmike nuk është pronë e askujt për ta fshirë sipas dëshirës.Në kanalin tim youtube të gjitha punët e mia janë free për shikuesit.









