Pavlina Mani lindi në Lushnjë, më 13 nëntor 1948. Pas aktivizimit në Lëvizjen Amatore dhe Estradën e qytetit, si dhe me mbarimin e liceut artistik “Jordan Misja”, më 1967, në degën e muzikës, shkoi për studime në Institutin e Lartë të Arteve”, dega e dramës, të cilat i mbaroi më 1970. Fill më pas u emërua aktore në Teatrin Popullor. U martua me regjisorin Pirro Mani.
Qysh studente luajti rolin e Larisës në dramën “Vajza pa prikë” të N. Ostrovskit, rol i cili shpërfaqi një kah të rëndësishëm të natyrës së saj aktoriale: mbartjen dramatike e psikologjike, e shoqëruar me spikma poetike, herë-herë të veshura me një vesk edhe melodramatik.
Në po këtë plan luajti edhe rolin e Olivies në komedinë “Nata e dymbëdhjetë e Shekspirit (1982), ndërsa me rolin e Ledi Milfordit në dramën “Luiza Miler” (Intrigë e dashuri) të F. Shilerit (1979), përkundrazi i mësoi planit të cinizmit, të ftohtësisë dhe të ironisë, duke u dhënë gruan ambicioze dhe të pamëshirshme.
Më së shumti aktorja ka lëvizur për nga njëmendësimi i tipit të gruas, të nënës apo të vajzës së dashuruar, gjithmonë në tone ankuese, por pa anashkaluar edhe përjetimet tronditëse, sikurse ka ngjarë në shfaqjet “Hijet e natës”, “Përmbytja e madhe”, “Monserati”, “Kush e solli Doruntinën”, “Romeo dhe Zhuljeta”, “Vizita e inspektorit”, “Rikardi III”, “Spiuni”, “Armiku i popullit”, “Larg Otrantos” etj.
P. Mani pësoi një thyerje të ndjeshme të profilit të saj interpretativ, atë botë kur provoi të luante role në komedi. E filloi me komedinë “Një nuse për Stasin”, veçse suksesin e arriti në komedinë “Pallati 176” të A. Balashit, ku paraqiti nje vesk humoristik alarmin e gruas “së shqetësuar” prej dashurisë që e bija, Elsa, pat zënë me djalin e Jovan Bregut, një familje fqinje, kinse jo e “rangut”.
I ngjashëm me këtë rol ishte edhe modeli i krijuar me figurën e gjyshes në komedinë “Tetë persona plus” të F. Radit. Rolin e Ana Andrejevnës te “Revizori” e N. Gogolit me nëntitullin “Vizita e inspektorit” ajo e trajtoi nën një veshtrim grotes, larg “përkorjes”, snobizmit infantile dhe “fisnikërisë” për zonjë provinciale; përkundrazi, tenime tallja dhe përqeshja bëhen në menyrë krejt të hapur, brufulluese e me vija “të trasha ”.
P. Mani ka luajtur edhe në 13 filma artistikë, ku spikati me rolin e zonjës Lulushe te “Pas vdekjes” (1980), kurse me rolin e nënës te “Bolero” (1997) u vlerësua si aktorja më e mirë në Euro Festivalin e Saint-Etienit në Francë. Ka krijuar një gamë rolesh të dyta, që mësojnë karaktere dhe që konvertojnë në tipin e gruas herë delikate, të përkëdhelur, llafazane, herë ankuese dhe snobe, si
te filmat “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” (Beti), “Lulëkuqe mbi mure” (mësuesja e muzikës), “Dy herë mat” (gruaja e llos), “Tela për violinë” (gruaja e Muços), “Stola në park” (Antigoni), “Flete të bardha” (Kristina) etj. Në vitin 2000 emigroi familjarisht në SHBA. Mban titullin “Artiste e merituar”.









