Shërbimi Informativ i Shtetit ka zbardhur skemën që përdorin grupet kriminale për pastrimin e parave. Në raportin vjetor të vitit 2019 një rëndësi e veçantë i është kushtuar krimit ekonomik, i cili sipas SHISH mbetet një nga faktorët me rrezikshmëri më të lartë në sistemin financiar.
Sipas raportit vjetor, sektorët ku kanë pastruar paratë bosët e krimit janë bizneset e ndërtimit, sektorët e hoteleri-turizëm në zonat bregdetare dhe ato urbane.
Identifikimi i burimeve të të ardhurave vijon të mbetet një problem shqetësuese, ndonëse nga ana e SHISH janë bërë një sërë përpjekjesh. “Pavarësisht përpjekjeve serioze për reduktimin e informalitetit nëpërmjet modernizimit të shërbimeve dhe rritjes së ndëshkueshmërisë, mbetet problematikë shqetësuese, që vështirëson procesin e identifikimit të të ardhurave me origjinë të paligjshme dhe sekuestrimin apo konfiskimin e tyre. Në vendin tonë, një sasi e konsiderueshme e parave “të pista” e ka origjinën nga aktiviteti kriminal ndër vite i individëve dhe grupeve të përfshira.
Të ardhurat e fituara në mënyrë të paligjshme janë investuar në vijimin e aktiviteteve kriminale, si dhe në biznese të ligjshme. Sektorët mbizotërues për pastrimin e parave mbeten biznesi i ndërtimit, pasuritë e paluajtshme, hoteleri-turizmi, etj. Zonat bregdetare e ato urbane mbeten më tërheqëset, pasi ofrojnë potencial për kthimin shumëfish të investimit fillestar”, thuhet në raport. SHISH deklaron në raportin vjetor se krimet ekonomike janë një nga problemet më serioze dhe shqetësuese, duke theksuar se janë evidentuar edhe mashtrime në fushën e taksave dhe doganave si dhe në disa sektorë të tjerë.
“Krimet në ekonomi mbeten faktorë me rrezikshmëri të lartë për rritjen e qëndrueshme ekonomike, besueshmërinë dhe stabilitetin e sistemit financiar e atij ekonomik në vend. Përshpejtimi i globalizimit ekonomik, mbështetur në tregjet financiare globale dhe strategjitë e tregut të lirë, e kanë pakësuar rëndësinë e kufijve dhe kanë krijuar mundësi të reja për krimin ekonomik.
Ndër aktivitetet më të përhapura të krimeve në ekonomi evidentohen mashtrimet në fushën e taksave dhe doganave, hartimi i faturave fiktive të shit-blerjes, krijimi i operatorëve ekonomikë fiktivë, kontrabanda e mallrave të akcizës, pastrimi i parave të gjeneruara nga aktiviteti kriminal. Faktorë favorizues evidentohen korrupsioni dhe niveli i informalitetit në ekonomi”, thuhet në raport.
Kërcënimet kibernetike
Ndërkohë që një tjetër shqetësim i evidentuar në raportin vjetor të SHISH është edhe stabiliteti politik dhe ekonomik në vend. Shumë shtete kundërshtare po rrisin ndikimin e tyre në vendin tonë përmes rrjeteve kompjuterike. “Rritja e aftësive kibernetike e kundërshtarëve tanë nënkupton kërcënim në rritje për sigurinë dhe stabilitetin politik dhe ekonomik.
Aktiviteti në rritje në nivel global prek edhe vendin tonë, ku po ndodhin procese dixhitalizuese në evoluim të shpejtë të shërbimeve shtetërore dhe joshtetërore. Shtetet kundërshtare dhe shërbimet e tyre të inteligjencës zotërojnë kapacitete kibernetike për operacione në rrjetet kompjuterike, zhvillojnë kapacitete kibernetike ofensive, kryesisht për të mundësuar aktivitetet e spiunazhit dhe grumbullimin e inteligjencës. Përballë kësaj dukurie, nevojitet ndërgjegjësim për shkallën e rrezikut, nivelin e kërcënimit, metodologjitë e përdorura për të mbrojtur informacionin e klasifikuar, përditësim të procedurave të mbrojtjes në raport me ecurinë e formave dhe metodave të përdorura”, thuhet në raportin e SHISH.