Deputet i Partisë Socialiste, Petro Koçi ka komentuar situatën politike në vendin tonë, duke u ndalur theksoi tek analiza brenda PS, përplasjet Basha-Berisha dhe përjashtimi i këtij të fundit nga grupi parlamentar i Partisë Demokratike apo shpallja “non grata” nga Departamenti Amerikan i Shtetit, si dhe nisma e PD për dekomunistizimin e shoqërisë.
Gjatë një interviste për gazetën “SOT”, zoti Koçi theksoi se Partia Demokratike po përdor dekomunistizimin për të hequr vëmendjen nga kriza që ka përfshirë selinë blu, pasi sipas tij, komunizmi është shpallur “non grata” në Shqipëri qysh kohë më parë. Ndërkohë ligjvënësi socialisti u shpreh se ish-kryeministri Sali Berisha ndihet i frikësuar për shkak se drejtësia mund të veprojë ndaj personave që janë përfshirë në korrupsion masiv.
-Zoti Koçi, pak ditë më parë Gjykata Kushtetuese rrëzoi Shoqatën e Bashkive, opozitën dhe presidentit Ilir Meta sa i takon zgjedhjeve vendore të 30 qershorit 2019, duke i legjitimuar ato. Si ju duket ky vendim?
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për zgjedhjet vendore është fitore e kushtetutshmërisë, fitore e shtetit mbi partitokracinë.
-Sot që flasim janë 6 bashki dhe ndërkohë kryeministri Edi Rama dhe eksponentë të lartë të PS, i kanë bërë thirrje presidentit Meta që të dekretojë një datë të re zgjedhjesh të pjesshme lokale. Por këtë të enjte që shkoi teksa ishte i ftuar në një studio televizive, zoti Meta la të nënkuptohet që nuk e njeh vendimin e Kushtetueses për 30 qershorin, madje paralajmëroi edhe dërgimin e kësaj çështje në Gjykatën e Strasburgut. Keni një koment?
Partia Socialiste është për zgjedhje të pjesshme vendore, nëse presidenti, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese do t’i dekretojë ato. Mendoj se vendimi i Gjykatës Kushtetuese ishte shumë i qartë. Do të thotë që brenda 45 ditësh siç e ka Kushtetuta, ai duhet të dekretojë zgjedhjet. Ne jemi të gatshëm në çdo moment që të marrim pjesë në zgjedhje dhe t’i fitojmë ato.
– Së fundmi ka mbërritur në Tiranë opinioni paraprak i Komisionit të Venecias lidhur me zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut. Mësohet se opinioni i Venecias është pro zgjatjes së afateve të organeve të vetingut. Përse Partia Socialiste mbështet zgjatjen e mandatit të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit dhe Komisionerëve Publikë?
Zgjatja e afateve të vetingut po themi është një lëvizje e detyruar pasi afatet e parashikuara më parë nuk kanë parashikuar që procesi i vetingut të kapte gjithë numrin e prokurorëve dhe gjyqtarëve, kështu që është një lëvizje e detyruar dhe nuk është çështje politike, por teknike.
Nga kjo pikëpamje zgjatja e mandateve të vetingut nuk ka pse të shfrytëzohet nga palët politike në vend për të bërë politikë. Kjo nuk është një iniciativë e mirëfilltë politike, pasi është një çështje teknike. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është votuar me 140 deputetë, kjo edhe për shkak të presionit ndërkombëtar asokohe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kur u votuan reforma në drejtësi.
Reforma është votuar me konsensus dhe sigurisht që opinioni i Komisionit të Venecias i tha “Po” zgjatjes së mandatit të KPK dhe Komisionerit publik, është një shtysë që politika dhe palët të gjejnë konsensusin. Siç e thashë edhe më sipër kjo është çështje teknike dhe jo politike.
-Le të përqendrohemi pak tek situata brenda PD, ku Basha dhe Berisha i kanë shpallur luftë njëri-tjetrit. Sipas jush përse ka nisur ky konflikt?
Dihet që përplasja në Partinë Demokratike po bëhet për interesat e ngushta të dy individëve dhe jo për çështje parimore. Në PD, njëri është më i pabesë se tjetri. U katandis demokracia që Saliu të përfaqësojë mendimin ndryshe, kur Luli s’ka qenë kurrë alternativë ndaj Saliut. Luli është kundër Berishës, jo kundër “Berishizmit”.
Të dy e kanë betejë për interesa personale. Po qe se zoti Basha do të ishte burrë shteti, do ta kishte përjashtuar Sali Berishën nga grupi parlamentar i PD-së që në kohën kur ai shpall “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Dhe ajo që ndodhi më 9 shtator, ishte siç i thotë populli:
“Si kofini pas të vjelës”. Mendoj se në një farë mënyre Basha u tregua edhe i pabesë ndaj zotit Berisha, ndërsa ky i fundit po lufton për interesat e veta dhe jo për të Partisë Demokratike dhe Shqipërisë. Sali Berisha është i trembur nga drejtësia, sepse duke u përfshirë në korrupsion ka frikë. Berisha ka qenë i pandëshkueshëm, por tashmë është më e lehtë për drejtësinë për të vepruar ndaj figurave si Sali Berisha në të ardhmen.
– Keni një koment për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha nga DASH?
E thashë edhe më sipër, që pas shpalljes “non grata” nga SHBA, Sali Berisha është askushi përballë shanseve për të bërë drejtësi në këtë vend. Dënimi moral e ka zhveshur atë përfundimisht nga kostumi i të pandëshkueshmit. Përpjekja e tij dhe e adhuruesve të stilit të tij për ta prezantuar këtë realitet si rrëzim të një flamurmbajtësi të nacionalizmës është një tragjikomedi më vete.
është aq nacionalist për interesat tona kombëtare sa mund të jetë i tillë ish-zëvendësi i Millosheviçit që quhej Bullatoviç. Struktura e Posaçme Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit ka autoritet të plotë mbi çdo shtetas në Republikën e Shqipërisë. Shtetasi Sali Berisha tashmë është kandidat për statusin e personit që mund të hetohet lirisht.
-Partia Demokratike do të propozojë në Kuvend një paketë të plotë ligjore lidhur me mospërdorimin e simboleve komuniste, apo siç quhet ndryshe “dekomunistizimi” i shoqërisë. Si ju duket kjo nismë?
Gjykoj që kjo çështja e komunizmit është shumë qesharake. Nuk ka asnjë mundësi për të pasur frikë reale lidhur me komunizmin në Shqipëri. Realisht edhe në një teatër politik ndërkombëtar, rreziqet më të mëdha vijnë nga ekstremi i djathë dhe jo nga ai i majti.
Në Shqipëri ky është një rrezik i tejkaluar dhe korrupsioni është shpallur “non grata” prej kohësh. Sigurisht që ka ca nostalgjikë po them që janë fare të parëndësishëm dhe në një numër të pakonsiderueshëm, që herë pas here mund të shfaqin ndonjë shenjë apo përdorim simbolesh që përgjithësisht lidhet me figurën e Enver Hoxhës, por këto nuk kanë asnjë rëndësi politike. Sigurisht që kjo shfrytëzohet nga e djathta në momente krize për të gjetur le të themi ushqimin politik të ditës.
Por kjo është një gjë që nuk e mban dot gjatë, pasi është një ushqim që nuk e shëndosh Partinë Demokratike. Nga kjo pikëpamje unë mendoj se PD-ja ka nevojë sot që të merret me çështje më serioze dhe kauza të drejta dhe jo kaq qesharake siç është kjo çështja për simbolet e komunizmit. Kështu që mendoj se përgjithësisht Partia Demokratike po e shfrytëzon figurën e diktatorit Enver Hoxha si gomone shpëtimi. Dhe në një moment si ky ku jemi është e vështirë që të përdoret kjo si instrument, pasi PD-ja është përfshirë në një krizë të brendshme që lidhet me interesat personale qoftë të Lulzim Bashës dhe qoftë me ato të Sali Berishës.
– PS ka nisur një analizë sa i takon zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit dhe një riorganizim në të gjitha nivelet e partisë. Si po ecën ky proces?
Zgjedhjet vendore po vijnë shumë shpejt dhe ne këtu do të jemi e do ta shohim që edhe viti 2022 do të “fluturojë”, ku papritur do të gjendemi në vitin 2023 për zgjedhjet e ardhshme lokale. Partia Socialiste është e përgatitur për zgjedhjet.
Ne jemi një parti që kemi në kulturë analizën pas çdo procesi zgjedhor, qofshin këto zgjedhjet vendore apo parlamentare. Ne jemi duke zhvilluar analizën pas zgjedhjeve të 25 prillit dhe kjo analizë paralelisht po bëhet edhe me zgjedhjet në nivel organizatash socialiste. Ndërkohë që vitin tjetër kjo analizë dhe zgjedhjet do të bëhen në nivel kryetar bashkish të degëve të Partisë Socialiste dhe njësish administrative.
Po ashtu, besoj që edhe media është në dijeni të këtij informacioni që në PS aktualisht po merremi edhe me anëtarësimet e reja dhe regjistrit digjital. Kjo e fundit jo si një çështje apo instrument që e bën më të lehtë për të verifikuar anëtarin në rrafshin moshor apo profesional, gjinor, por është më shumë si instrument demokracie. Kjo do të thotë se Partia Socialiste në qendër përmes këtij instrumenti merr mendimin e anëtarësisë edhe nga baza brenda një kohe shumë të shkurtër.
Pra e gjitha anëtarësia e Partisë Socialiste mund të shprehet për një mendim të rëndësishëm politik apo opinion nëse i kërkohet, duke votuar në platformë. Kështu që ne e konsiderojmë regjistrin si instrument demokracie më shumë. PS, është partia më tradicionale në vend, pasi jemi kampionë të organizimit dhe nga ana tjetër mbetet parti më moderne, pasi aplikojmë teknologjitë moderne në kuptimin më të mirë. Partia Socialiste mbetet e vetmja forcë politike me vokacion të qartë:
· Për një Shqipëri me shtet të së drejtës, ku i pushtetshmi i nënshtrohet rregullave të bashkëjetesës shoqërore njësoj si njeriu i zakonshëm;
· Një Shqipëri me rend ligjor ekonomik, ku të gjithë kontribuojnë sipas fitimit dhe askush nuk cenohet në të drejtën e tij për të fituar, ku ai që fiton paguan më pas ose aspak dhe ai që fiton më shumë, paguan më shumë;
· Një Shqipëri që sot renditet në krye të renditjes globale për barazinë gjinore në qeverisje;
· Një Shqipëri me miq e me partnerë ndërkombëtarë, që bashkëpunon me dinjitet në çdo plan dhe di të respektojë të tjerët duke respektuar vetveten.
Partia Socialiste ka natyrisht përgjegjësinë dhe meritën kryesore në gjithë këtë përpjekje dhe reformim të thellë e të gjithanshëm.
Intervistoi: Rigels Seliman