Nga Viktor Zhusti
Të lodhur e dëshpëruar nga “betejat” pafund, brenda e jashtë vetes, në të paktat çaste “armëpushimi” që i lejojmë vetes, ARTI, për ata që e besojnë, kuptojnë, ndjejnë dhe pranojnë, mundet (mundet thashë), të shërbejë si TERAPI e PIKNISJE, për të parë e kuptuar më realisht, atë pjesë kohe që na është falur, për të bërë hije mbi dhé, pasi, në fund të fundit, ajo që mbetet, është ç’kujtojmë e ç’të na kujtojnë.
Përktheva nga Manolis Kaculis, këtë poezi, një jetë në vargje.
Marangozit, që kisha atë çast në shtëpi, ia lexova, duke dashur të ishte dëgjuesi i parë dhe, pa e mbaruar akoma me tha:
– Shumë e gjatë…
(“Si mjekra jote për berberin” i tha Hamleti, Pollonit…)
NUK JAM VETËM
Pashë një ditë veten në pasqyrë.
Ishte në të gdhirë.
Drita, rrëshqiste ngadalë nga dritarja,
si një mik i vjetër, që e di se
kujtimet janë akoma në gjumë.
Vajta të shikoj fytyrën time, por,
nuk pashë veten.
Pashë një turmë.
Pashë tim atë në vijzimet e ballit,
mënyrën se si i heshtur qëndroj,
para gjërave që s’mund t’i ndreq dot.
Pashë nënën time.
Vështrimin e saj,
këmbënguljen e zemrës, të falë
edhe kur dhemb.
Pashë gjyshin tim,
duart e tij,
duar që mbanin erë dheu,
rrushi,
duhani
dhe dielli,
duar që dinin të mbillnin pemë
për njerëzit që akoma s’kishin
lindur.
E më pas, pashë miq !
O Zot !
Sa miq jetojnë akoma
brenda meje !
Të qeshura nga oborri i shkollës
sekrete të pëshpëritura prapa fushës së futbollit,
ëndrra që futen
në një top,
në një biçikletë,
në një biletë kinemaje…
I dëgjoja akoma të qeshnin
dhe në një çast,
kujtova se po të hap dritaren,
do t’i shihja të vraponin në rrugë,
si atëhere.
Pastaj erdhën dashuritë,
jo vetëm të mëdhatë,
të gjitha,
ato që jetuan me vite,
ato që jetuan veç një vështrim,
një prekje,
një behar,
një pranverë,
një premtim që nuk arriti të merrte jetë.
Të gjitha jetonin akoma brenda meje,
si lule të thara,
mes faqeve të një libri.
Pa aromë më.
E megjithatë…
Me gjithë bukurinë e tyre
të pa prekur.
Pashë përsëri.
Dhe pashë shtëpi.
Shtëpinë atërore,
oborrin,
tavolinën e së dielës,
mbulesën e bardhë të tavolinës
bukën e sapodalë nga furra,
aromën e kafesë,
jaseminin e korrikut,
gjinkallat,
dritaren e hapur,
radion që luante qetësisht,
zërin e dikujt që thërriste nga kuzhina:
“Eja të hash.”
Sa shumë dashuri nxinin vallë,
brenda tyre,
fjalë kaq të thjeshta,
sa lumturi.
Atëhere, askush nuk e dinte,
sepse njerëzit,
nuk e kuptojnë sa të lumtur janë,
në çastin që janë.
E kuptojnë më vonë,
kur karrikja është bosh,
kur dritarja mbyllet përgjithmonë,
kur zëri kthehet në kujtim.
Dhe më pas,
kuptova diçka që më përloti.
Askush nuk kishte ikur.
Askush.
As nëna,
as babai,
as miqtë,
as dashuritë,
as beharet,
as shtëpitë,
të gjitha ndodheshin akoma këtu,
në buzëqeshjen time,
në lëvizjet e mia,
në fjalët që përdor,
në mënyrën si dashuroj,
në mënyrën si vuaj,
në mënyrën si shikoj hënën,
në mënyrën si përkëdhel një fëmijë,
në mënyrën si nuhas jargavanin
Pasi, një njeri,
nuk është kurrë NJË njeri.
Është një qytet me fytyra,
një kishë me qirinj të ndezur,
një liman pas udhëtimesh,
një qiell, i mbushur me zëra,
që vazhdojnë të ndriçojnë edhe shumë kohë pas perëndimit…
Dhe, kur dikur, të më vijë ora,
nuk dua të më kujtojnë për sa arrita,
as për sa shkrojta,
as dhe për sa zotërova.
Dua vetëm që
dikush të shohë duart e mia,
të buzëqeshë
dhe të thotë:
Edhe ai është këtu, akoma”
Pasi vetëm atëhere,
do kem mposhtur kohën.









