Pjetër Gjoka lindi në Ulqin më 6 gusht të vitit 1912 dhe u nda nga jeta më 2 maj të vitit 1982. Aktivitetin në teatër në lëvizjen amatore e filloi që vitet 30 në Shkodër.
Në vitin 1947 vjen si aktor në Teatrin Popullor, pasi kishte debutuar me Teatrin e Ushtrisë. Roli i parë ishte në komedinë “Tartufi”.
Ka interpretuar rreth 90 role në këtë teatër, dhjetëra kryerole nga dramaturgjia botërore, ndërsa në skenë qëndroi 52 vjet rresht, duke interpretuar edhe i verbër krejtësisht. Disa nga kryerolet e tij janë: Haritonov, Shpend Gjeta, Plaku, Mac Donald, Miler, Zabeliku, Klaudi, Mbreti Lir, Gjini, Ali Pashë Gucia, etj.
Në vitin 1961 ai ishte ndër katër aktorët që u nderua me titullin e lartë “Artist i Popullit”. Ka intertretuar edhe në disa filma artistikë, duke krijuar figura të arrira. Roli i fundit i tij në Teatrin Kombëtar ishte në dramën “Epoka para gjyqit”. Krahas punës si aktor, ka vënë në skenë edhe disa pjesë, si regjisor.









