Shqipëria ka lënë gjurmë në kolonën zanore të një prej filmave më të shumëpritur të viteve të fundit.
Kompozitori fitues i çmimit Oscar, Ludwig Göransson, ka zbuluar se për krijimin e muzikës së filmit “The Odyssey”, me regji të Christopher Nolan, është frymëzuar nga polifonia labe dhe tingujt e fyellit dyjar, një prej instrumenteve më të vjetra të traditës shqiptare. Në një intervistë për New York Magazine, Göransson tregon se ndërmori një “odise” të tijën në kërkim të tingujve autentikë për filmin.
Ai udhëtoi në jug të Shqipërisë, ku kaloi një javë duke regjistruar iso-polifoninë shqiptare, një traditë e njohur nga UNESCO si Pasuri e Trashëgimisë Kulturore Jomateriale të Njerëzimit. “Shkova në jug të Shqipërisë dhe kalova një javë duke regjistruar një stil të lashtë këngësh të quajtur iso-polifoni, të cilin nuk e kisha dëgjuar kurrë më parë në një film”, shprehet kompozitori.
Gjatë qëndrimit të tij, ai regjistroi edhe tingujt e fyellit dyjar (cula dyjare), instrument tradicional i barinjve shqiptarë, i përdorur prej shekujsh në trevat jugore. “Regjistruam fyellin që barinjtë shqiptarë e luajnë prej mijëra vitesh. Duhej të përfundonim regjistrimet para orës 18:00, sepse ata zgjohen në orën 4 të mëngjesit për t’u kujdesur për kopenë”, rrëfen Göransson.
“The Odyssey”, i bazuar në poemën epike të Homerit dhe me regji të Christopher Nolan, është një nga produksionet më të mëdha kinematografike të vitit.
Vendimi i Göransson për të përfshirë tinguj tradicionalë shqiptarë i jep filmit një dimension autentik dhe sjell në vëmendjen e publikut ndërkombëtar një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore shqiptare. Polifonia labe, e njohur për interpretimin e saj unik me shumë zëra, dhe cula dyjare, instrument karakteristik i barinjve të Jugut, konsiderohen ndër elementët më përfaqësues të identitetit muzikor shqiptar dhe tashmë do të dëgjohen edhe në kolonën zanore të një produksioni të Hollivudit.









