Presidenti Ilir Meta ka dërguar një mesazh të koduar ditën e djeshme, teksa ka përkujtuar Lidhjen Shqiptare të Prizrenit në 142 vjetorin e saj. Me anë të një statusi në rrjetin social Facebook, presidenti Meta ka postuar një foto dhe ka dërguar një mesazh për politikën duke u shprehur se kur cenohet sovraniteti dhe se duhet të frymëzohemi nga burrat që bënë Lidhjen e Prizrenit.
“Në historinë e kombit tonë, Lidhja Shqiptare e Prizrenit, shënon një nga ngjarjet më lapidare dhe frymëzuese për të gjitha kohërat, ku u shpalos dhe u lartësua identiteti kombëtar e europian i shqiptarëve, dhe u legjitimuan aspiratat për shtet-formim që i paraprinë shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ndaj sot, në 142-vjetorin e krijimit të Lidhjes, ne kujtojmë me respekt e mirënjohje të jashtëzakonshme udhëheqësit vizionarë e legjendarë të saj, Abdyl Frashërin, Ymer Prizrenin, Sulejman Vokshin dhe të gjithë burrat e mençur dhe atdhetarë, të cilët sakrifikuan gjithçka për të mbrojtur të ardhmen e Shqipërisë, Kosovës dhe të mbarë kombit tonë, nga rreziku shovinist dhe platformat e aneksimit të territoreve”, është shprehur presidenti Ilir Meta në postimin e tij në Facebook.
Mes të tjerash presidenti Ilir Meta është shprehur se fryma patriotike që këta burra na kanë lënë trashëgim duhet mbajtur gjallë. Qartazi presidenti ka bërë thirrje për rezistencë dhe mbrojtje të sovranitetit duke pretenduar se ky i fundit është në rrezik, kësisoj duke dërguar një mesazh për politikën. “Vizioni, fryma patriotike, dhe ndjenjat më të larta të atdhedashurisë që na ka lënë trashëgim Lidhja Shqiptare e Prizrenit, mbeten një vepër e gjallë dhe frymëzim mbarëkombëtar, veçanërisht për rininë, sa herë kërcënohen sovraniteti, liria dhe pavarësia”, ka përmbyllur postimin e tij presidenti Ilir Meta.
Ndërkohë ditën e djeshme presidenti Meta ka bërë disa takime, kur ndër to ka bërë dhe një vizitë në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja. Vizitë e ka bërë me dije me anë të një postimi në rrjetin social Facebook. “Me familjen e dashur të Prof. Dr. Hamlet Bezhani dhe pedagogë të Gjuhëve të Huaja, nën hijen e ullirit të paqes, pemës simbol të jetës e mençurisë, të mbjellë nga Profesor Bezhani në oborrin e fakultetit”, ka shkruar Meta.