Sot aktori i mirënjohur Artisti i Popullit Reshat Arbana feston 86 vjetorin e lindjes dhe ne i urojmë jetë të gjatë dhe pleqëri të mbarë!
Aktori lindi në Tiranë, më 15 shtator 1940. Kreu shkollën e lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, në vitin 1965. Punoi si regjisor në “Radio Tirana”, 1965- 1973, ndërsa nga 1974 deri më 1992 ka qenë aktor në Teatrin Popullor.
Nga viti 1992 e në vijim aktivizohet në projekte të ndryshme teatrore, apo filma si aktor i lirë në interpretimin e disa roleve.
Arbana është aktor i planit dramatik; karakterizohet nga një lojë që gërsheton çastet e qeta, rrefimtare e të shtrira me ato shpërthyese, të ngjeshura dhe emocionale; ka një zë të plotë e kumbues, herë-herë në tone epike. Me lojën e tij ka sjellë një galeri tipash, që ndryshojnë sipas kohës, vendit, shtresimeve sociale, ngarkesës së tyre psikologjike dhe temperamentit.
Në vitin 1974, interpretoi rolin e Selimit në dramën “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës, ku paraqiti një njeri kokëfortë, të bindur e të pakthyeshëm në rrugën e bërrjes së tij politike e morale.
Një vit më vonë i dha trajtë ekspresive personazhit të vështirë e kontradiktor prej fshatari të vafër, hallexhi, por lakimtar, Pilo Shpiragut në dramatizimin e romanit “Lumi i vdekur” i Jakov Xoxes prej Kudret Velçës.
Në teatër ka realizuar 24 role kryesore. Prej tyre janë bërë më të njohura në kohë, gjithashtu, roli i Presidentit te drama “Luiza Miler” e F. Shilerit, 1979; roli i Beqir Agës te drama “Lulet e shegës” e Kolë Jakovës, 1977, përmes të cilit paraqiti njeriun dinak, të egër dhe të lidhur fort me pronën dhe pasurinë; roli i Uill Lomenit te drama “Vdekja e një komisioneri” e Artur Milerit, 1979, ku vuri në spikamë me zgjuarsi delirin e njeriut të vogël në shoqerinë postindustriale amerikane, i shkatërruar nga mbijetesa e vështirë, shterimi psikik që i imponohet nga tregu si dhe zhgënjimi nga iluzionet.
Reshat Arbana është recitues i njohur i poezisë shqipe, sidomos i vargjeve nga veprat e Gjergj Fishtës (poema Lahuta e malcisë etj.). Mban titullin “Artist i Popullit”.









