Gëzim Kame lindi në Tiranë, më 7 nëntor 1947. Me origjinë prindërore nga Përmeti, por fëmijërinë e ka kaluar në Gjirokastër dhe në Tiranë, ku i ati ka qenë i emëruar në detyrë, si ushtarak. Në moshën 6-vjeçare të Gëzimit, prindërit e tij erdhën në Berat, ku edhe vazhdoi shkollën fillore përkatëse, por edhe gjimnazin e këtij qyteti, ku do të shquhet për prirjet aktoreske, si në mjediset e shtëpisë e të mëhallës së vet, ashtu edhe në gjimnaz e në Pallatin e Kulturës. Ishte pikërisht kjo prirje që do ta shtynte atë të vinte e të konkurronte për aktrim në Institutin e Lartë të Arteve dhe të fitonte.
Ishte një nga studentët e mi më aktivë, i frymëzuar dhe me rezultate konkrete. Kështu do të vazhdonte edhe pas mbarimit të shkollës, me disa kulme të krijimtarisë, të veprimtarisë e të jetës së tij. 25 vitet e nisjes së punës së tij krijuese i takojnë fazës fillestare, si pedagog i “Mjeshtërisë së Aktorit”, mandej edhe si dekan i fakultetit në këtë degë. Në periudhën e mëpastajme, u shqua për një punë krijuese aktive e të dendur, si regjisor në 60 spektakle të suksesshme që tërhoqën vëmendjen në krejt vendin.
U emërua mandej edhe si Udhëheqës Artistik i Teatrit Popullor, ku e patën emëruar pas largimit prej Institutit të Lartë të Arteve dhe, më pas akoma, si Drejtor i këtij Institucioni të rëndësishëm Kombëtar. Një karrierë ekspresive, e qëndrueshme dhe e suksesshme, që nuk shtrihej vetëm në Tiranë, por në krejt vendin, bile më përtej, në Kosovë e Maqedoni.
Për një periudhë 2-vjeçare (1998-2000) edhe Drejtues i Kompanisë Teatrore “Publimedia”. Për ta përfunduar me krijimin e një teatri privat, në periferi të Tiranës, në Ibë, midis Bërzhitës dhe Krrabës, që e titulloi Teatri “KAME”, pranë të cilit po kalon sot edhe jetën e vet të pasme, në pension aktiv, i nderuar e i respektuar edhe si personalitet shoqëror.









