Ardian Cerga lindi me 16 nëntor 1957 në qytetin e Vlorës. Aktori u bë i njohur në vitet ’80 me filma si “Në çdo stinë” e “Mësonjëtorja”dhe pas shumë vitesh emigracion në Itali, sot jeton mes Romës dhe Vlorës.
Në Shqipëri është i angazhuar në nisma për heqjen e pengesave arkitektonike për t’u ardhur në ndihmë personave me aftësi të kufizuara, apo “Shqipëria me biçikletë” për një vend më pak të ndotur.
Pas viteve 90-të Ardian Cerga si shumë artistë të tjerë do të ikte përtej Adriatikut në Itali. Ajo që asokohe preku artistin e njohur të kinemasë shqiptare ishte kontakti dhe predispozita e një populli, që me kulturën, traditën, zemergjerësinë, iu gjend pranë emigrantit shqiptar.
Prej disa vitesh jeton mes Romës dhe Vlorës. Kjo e fundit është për Cergën një dhuratë që natyra i ka bërë Shqipërisë dhe shqiptarëve, një “copë” e rëndësishme e historisë sonë. “Është puthja e dallgës me bregun, kënga e vetmuar e zgalemit, ironia dhe humori i hollë, kënga labe, magjia e përqafimit të diellit me horizontin në perëndimet e mrekullueshme”.
Disa nga rolet e tij jane: “Yje mbi Drin” (Kreshniku); “Mësonjtorja” (Kajo); “Me hapin e shokëve” (Petriti); “Në çdo stinë” (Leka), “Era e ngrohtë e thellësive” (Berti). “Pranvera s’erdhi vetëm” (Astriti); “Njerëz në rrymë” (Arseni).









