Më 29 korrik 2002, u nda nga jeta aktori i paharruar Adem Gjyzeli, një figurë e dashur e teatrit dhe ekranit shqiptar. Me një prani të veçantë, zë të ngrohtë dhe talent të natyrshëm, ai mbeti në kujtesën e publikut për rolet e tij të sinqerta, të thella dhe njerëzore.
Kontributi i tij në skenën shqiptare ishte i paçmueshëm, duke interpretuar personazhe që i dhanë shpirt artit dhe prekën zemrat e spektatorëve
Adem Gjyzeli (1941–2002) Aktor.
Lindi në Çamëri, më 15 tetor. Familja e tij u vendos në Shqipëri pas dëbimit të popullsisë çame nga Greqia, më 1945. Në vitet 1955-1959, kreu liceun artistik “Jordan Misja” për aktrim dhe në vitin 1958 u aktivizua në Teatrin Popullor në dramën “Te rinjtë” e Vangjush Vinçanit.
Nga viti 1959–1960 punoi si aktor pranë Estradës Profesioniste të qytetit të Gjirokastrës duke interpretuar role të shumta; 1960–1964 vanzhdoi studimet për aktor në shkollën e lartë “Aleksandër Moisiu”. Me përfundimin e studimeve, A. Gjyzeli emërohet aktor në teatrin profesionist të qytetit të Vlorës.
Që nga kjo ditë e deri kur doli në pension ka realizuar rreth 120 role, nga këto 80 kryesore. Aktor ekspresiv, i vrullshëm, emocional, me potencë dhe natyrë shpërthyese, që ka mbajtur një peshë të madhe në trupën e teatrit të Vlorës. Ndër interpretimet e tij më të spikatura janë ato në dramat: “Në emër të lumturisë”, “Një dashuri e tillë”, “Shokët”, “Fytyra e dytë”, “Rrënjët”, “Shtëpia në Bulevard”, “Mbi gërmadha”, “Rruga Budi 723” “Berberi i Seviljes”, “Shumë zhurmë për asgjë” etj.
Veç debutimit të tij si aktor në teatër, ka marrë pjesë edhe në rreth 13 filma, duke realizuar, edhe aty, figura dhe karaktere interesante. Ishte ndër aktorët e aktivizuar pothuajse në të gjitha koncertet e fjalës artistike në qytetin e Vlorës, të realizuara në festa apo mbrëmje jubilare. Ka dhënë ndihmesë edhe në lëvizjen amatore si regjisor. Është nderuar me urdhrin “Naim Frashëri I Artë”.
Valter Gjonbrataj
·
Ishte nje nga ata qe nuk ka te tjere! U prefsh ne paqe o njeri i mire! Mirenjohje!









