“Artisti i Popullit”, Viktor Gjoka, lindi më 4 korrik të vitit 1922 në Peshtan të Tepelenës dhe u nda nga jeta më 26 tetor 2007 në Itali. Aktivitetin artistik e filloi në rininë e tij me lëvizjet amatore. Në vitin 1946, nisi punë në Teatrin Popullor (sot Kombëtar) dhe punoi deri në vitin 1971. Pa mbushur 20 vjeç, realizon rolet e para, pas provave të shumta me idhullin e tij, Mihal Popi.
Ndër rolet më të suksesshme përmendim Hliestakovin në veprën “Revizori” të Gogolit (1952), “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Fytyra e dytë”, “Karnavalet e Korçës”. Pas rreth 13 viteve punë në teatër, në vitin 1959 mundi të marrë një bursë studimi për regjisurë në Bashkimin Sovjetik për dy vjet. Me ndërprerjen e marrëdhënieve në vitin 1961, kthehet në Tiranë, për t’i vazhduar ato në Konservatorin e Tiranës.
Rikthehet në Teatrin Popullor në vitin 1991, me këmbënguljen e drejtorit Artur Zheji, ku vishet me rolin e Spirakes në komedinë rumune, “Valsi i Titanikut”, premierën e luan Roland Trebicka, Gjoka aktron në natën e dytë – pasi ishte dublant dhe më pas me rikthimin e komedisë që i dha suksesin në fillimet e tij në teatër “Revizori”, këtë radhë në regjinë e vetë Gjokës.
Filmi artistik ka qenë më pak i lëvruar, por edhe aty kemi një mori personazhesh si të zhanrit të komedisë, ashtu edhe të atij dramatik. Kujtojmë këtu “Kush është vrasësi”, “Vdekja e burrit”, “Zëvendësi i grave”, “Babai i studentit”, “Historiani dhe kameleoni”. Nga punët në teatër janë të regjistruara vetëm me audio disa nga veprat e vëna dhe ndodhen në arkivat e Radio-televizionit Shqiptar.
Kujtojmë “Rrëshqitjen” e Besim Levonjës . Pristanda e Karaxhales,”Një letër e humbur”, “Shërbëtorin e dy zotnive” të Karlo Gordonit, “Banjën” e Majakovskit në rolin e Ivan Ivanoviçin e Majakovskit, etj. Në veprën “Majlinda” të Xhemal Brojës, Viktori si i persekutuar pati një rol të vogël, por prezenca e një kritiku polak bëri që pena e tij të shkruajë për ‘atë infermierin brilant, i cili ngjasonte me Aleksandër Moisiun’.
Mundi të marrë titullin “Artisti i Popullit”, por nuk e mbrojti dot nga ajo çka do t’i ndodhte. U ndëshkua dhe u dëbua, por shpirti i tij nuk u shkëput asnjëherë nga skena. Dashuria për teatrin dhe spontaniteti i tij si aktor dolën më të forta se burgu i persekutimit artistik dhe njerëzor.









