Edhe pse Sali Berisha e quan të kryer faktin se ai ka marrë në dorë Partinë Demokratike pasi ka një vendim gjykate, nuk mendojnë kështu Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Vëmendja dhe zëri që po ju japin ndërkombëtarët grupit anti-Berisha e vërteton këtë fakt. Vizita në SHBA e deputetit Agron Gjekmarkaj tregon edhe më shumë se amerikanët nuk do të bashkëpunojnë me pjesën tjetër që mbështesin “Non Gratat”.
Në vizitën e tij në Uashington, ai është pritur në Departamentin e Shtetit, apo dhe në vizita të tjera të rëndësishme në institucione të ndryshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës gjatë këtyre tre ditëve.
Zëri i Amerikës bisedoi me Gjekmarkajn, rreth asaj se çfarë pritet të ndodhë më tej në PD. I pyetur se kush e përfaqëson sot Partinë Demokratike pas kontrollit që Berisha ka marrë pas largimit të Bashës, Gjekmarkaj tha se institucioni më legjitim që ka sot PD është grupi i saj parlamentar.
“Të gjitha të tjerat në njëfarë mënyre kanë rënë. Dhe për më tepër kur kemi të bëjmë me procese të njëanshme si ato që kemi parë nga dhjetori e këndej, janë thjesht procese që përfaqësojnë një pjesë dhe dëshirat e një individi apo grupi të caktuar rreth tij.
Nuk janë procese që çojnë drejt bashkimit të Partisë Demokratike. Proceset e bashkimit do të ishin të tjera. Do të ishte gjuha e kompromisit ku lihet mënjanë procesi i deritanishëm, i cili është bërë i njëanshëm, dhe hapet një proces gjithëpërfshirës ku të kenë mundësi të gjithë të bëhen pjesë për ta zgjidhur problemin dhe për ta çuar drejt bashkimit.
Njerëzit kërkojnë bashkim. Demokratët në bazë kërkojnë bashkim. Dhe është fatkeqësi që gjithçka ngelet peng në dorën e një njeriu”, tha Gjekmarkaj.
Pasojat nëse Berisha merr kryesimin e PD
Gjithashtu, ai tregoi për Zërin e Amerikës pasojat që mund të ketë mbi Partinë Demokratike zgjedhja e zotit Berisha si kryetar i saj, duke qenë se ai është shpallur si një person i padëshiruar në Uashington.
“Unë besoj shumë dhe e kam shprehur publikisht që Partia Demokratike, duke e falënderuar Sali Berishën, duhej të ndahej prej tij në vitin 2013. Sepse ai çfarë ka patur për t’i ofruar Partisë Demokratike, çfarë ka patur për të marrë prej tyre, i ka bërë dhe i ka kryer të dyja proceset.
Duhej të ndahej kulturalisht së pari. Duhej të ndahej politikisht, sepse Partia Demokratike kishte nevojë të mbante çfarë është e mirë nga berishizmi dhe ta linte mënjanë, t’ia linte historisë, pjesën tjetër që nuk shkonte me bashkëkohësinë dhe modernitetin.
Fatkeqësisht, këto nuk ndodhën. Tani ne mbahemi vetëm pas faktit që ai është non-grata. Sigurisht dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme që nuk mund të anashkalohet. Është vullneti i shtetit kryesor të botës, për fatin tonë të mirë aleat strategjik i shqiptarëve.
Dihet cili është vullneti i tyre. Një vullnet i shprehur herë pas here fuqishëm që ata shohin nga e ardhmja, nuk negociojnë të shkuarën”, tha Gjekmarkaj. Ai tha se PD nuk mund të mbetet vetëm tek Sali Berisha, e Lulzim Basha, të cilët sipas tij janë në njëfarë mënyre binom dhe dy anë të një medaljeje.