Regjisori Mevlan Shanaj e ka pritur me një dhimbje të thellë shpirtërore humbjen e regjisorit të mirënjohur Piro Milkani.
I prekur dhe përlotur ai kujtoi humbjen e trishtë të mikut të tij më të mirë të rinisë, që e cilësoi edhe si baba të kinematografisë shqiptare dhe një “humbje kombëtare”.
Aktori dhe regjisori kujtoi episode nga e kaluara me Milkanin dhe deri në ditët e fundit, ku dje kishte qenë edhe komunikimi i fundit.
“Ndihem në trishtim për humbjen e Piro Miknanit, mikut tim. Fola me të dje, kishte probleme shëndetësore së fundmi, ishte sëmurë. Jemi njohur që në rini bashkë, studentë, ishte i ditur, i shtruar, me embëlsi dhe veti të rralla. Qytetar i klasit të parë, i rrallë, që vendi ynë i ka të rrallë. Unë kam qenë në dy filma të tij, “Ballë Përballë” dhe “Pranvera s’erdhi vetëm”, një nga regjisorët më të arrirë. Por kujtohen filmat e tij më të mirë. Ai ishte babai i kinematografisë.
Prej 15 vitesh qëndronte i shkëputur, sepse shëndeti nuk i ka ecur mirë, por ishte shumë i kthjellët. Botoi edhe një libër në Spanjë. Burrë i pjekur, social dhe me kontribute të mëdha. Kishte mënyrën e tij sugjestionuese. Bënim edhe humor bashkë herë pas here. Por humbja e tij është një humbje kombëtare duke pasur parasysh figurën e tij dhe veprën”, u shpreh regjisori i njohur mes pezmatimit dhe dhimbjes së thellë.
Lajmi kryesor:
Kinematografia shqiptare në zi, shuhet në moshën 86-vjeçare regjisori i njohur Piro Milkani! I biri prek me mesazhin: Iku babai, shoku dhe kolegu im!