Shpërthen skandali me zgjedhjet e reja për kreun e Federatës Shqiptare të Futbollit. Kreu aktual Armand Duka synon një mandat të gjashtë dhe kanë nisur që tani tentativat për të shmangur çdo lloj konkurrence. Dje u mbajtën zgjedhjet për të zgjedhur kryetarin e Shoqatës së Futbollit Tirana.
Fitues u zgjodh Krenar Alimehmeti, ndërsa kandidati tjetër Eduard Prodani u tërhoq pak pas nisjes së mbledhjes, pasi konstatoi se ishin votues anonimë në sallë. Në sallë kishte 65 anëtarë nga 41 që duhet të jenë, ku rreth 20 ishin persona që nuk i njihte njeri.
“Siç e prisnim në sallën gjetëm shumë më tepër se numri i duhur i delegatëve me të drejtë vote. Deri tani nuk na është dhënë numri i delegatëve dhe e kam kërkuar me insistim dhe nuk na është dhënë pikërisht për arsye të manipulimit të listave të delegatëve gjatë ditëve të fundit. Aty kishte fytyra që nuk ishin parë kurrë, ishte qartazi një mbledhje e manipuluar. Do shqyrtojmë për masat e mëtejshme me ekspertët ligjorë.
Nga 41 anëtarë, sot ishin 67 që do votonin. Kishte njerëz në sallë që nuk kishin lidhje me sportin. Zgjedhjet e Shoqatës së Tiranës nuk mund të organizohen nga FSHF”, tha Eduart Prodani. Në të njëjtën linjë me të ishte dhe Dritan Shakohoxha, i cili do të kandidojë për kryetar të FSHF. Ai tregoi se si u manipulua procesi për kreun e shoqatës dhe si po tentohet të manipulohet procesi për kreun e ri të FSHF.
“Të gjithë klubet që po rrinë gjakftohta nuk e kuptojnë që FSHF po trukon rezultatet e zgjedhjeve, po kurdis me gjakftohtësi e mashtrim spektakolar. FSHF ishte organizatore e Asamblesë së sotme, të Shoqatës së Tiranës që nuk ekziston. Mema që ishte kryetar ishte emëruar, gjithçka ka qenë false. Edhe ai thotë nuk e di se kush ma ka dhënë, se dokumentet janë në zyrat e FSHF, si të Shoqatave të çdo qyteti.
Sot është bërë një mashtrim shumë i shëmtuar. Në këtë mbledhje befas janë zbuluar 15 njerëz që nuk kanë lidhje me këtë ambient. Për shembull ishte një person Dario Mehmetllari, pronari i shoqatës nuk e njeh. Një personazh tjetër është Ajson Lala, nuk ka asnjë lidhje me futbollin, apo Albi Masha. I kontrollon dhe i sheh që nuk kanë asnjë lidhje, kanë ardhur të bëjnë përmbysjen e rezultateve të zgjedhjeve”, tha Shakohoxha.
Akuzat për manipulim
Edhe Kreu i Shoqatës së Futbollit Albnet, Alban Myftaraj ka deklaruar se procesi i votimit ishte i gjithi i manipuluar. “U njoftuam për mbledhjen që do bënim për zgjedhjen e shoqatës Tirana, deri në hyrjen brenda në sallë shkoi mirë, pastaj këtu filloi kleçka. Në sallë ishin mbi 67 vetë dhe disa veta nga ata nuk i njihnim nga pjesa e sportit.
Nuk na u duk korrekte që të bësh një zgjedhje dhe gjërat të arrijnë në këtë sens. Secili nga ne ka ekipe futbolli, nuk e shohim të arsyeshme që një zgjedhje të fillojë më gënjeshtër. U futëm në një proces zgjedhor, nuk u njohëm me personat që do të votojmë, i kemi kërkuar listat, nëse e kishin kuorumin i jepnim dorën, në momentin që ti nuk i ke numrat, po në këtë lloj forme dhe vetë krenari nuk e pranon të jetë një i tillë. Pse ishte kaq e ngurtë transparenca”, tha Myftaraj.