Alfred Bualoti (1953). Regjisor, aktor. Lindi në Tiranë, më 5 tetor. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve për aktor, më 1974. Filloi punë si regjisor në Televizionin Shqiptar, më pas bëri disa vjet si aktor në Teatrin e Gjirokastrës, kurse me mbarimin e një kursi kualifikimi disamujor në Teatrin Nacional Chaillot në Francë, u tërhoq nga Teatri Popullor në funksionin e regjisorit dhe të aktorit profesionist, ku luajti rolin e Arbenit te drama “Tymra që pastrohen” e Zisa Cikulit, 1974; më pas atë të Gjetanit te “Kulla e Hutajve” e Kolë Jakovës, 1981; të Artanit të vitit 1945 e Teodor Laços.
Kreu kursin njëvjeçar për regjisor pranë Institutit të Lartë të Arteve, më 1982. Në vitin 1983, vuri në skenë dramatizimin e romanit të Dritëro Agollit, “Shkëlqimi dhe rënia e shokut Zylo, së bashku me bashkëregjisorin Andon Qesari, ku edhe luajti me një sens të hollë humori, ironie, në linjën e vetëdemaskimit, rolin e Zylos. Sprova regjisoriale në këtë shfaqje vijoi me dramën “Në prag të jetës e Dhimitër Xhuvanit, 1983.
Sërish me bashkëregjisorin A. Qesari, ishte i suksesshëm sidomos me komedinë “Pallati 176” të Adelina Balashit, shfaqje e cila pati një pritje të bujshme nga publiiku i gjerë, e dhënë mbi 320 herë brenda një 5-vjeçari.
Ai krijoi një atmosferë të këndshme, duke shfrytëzuar mirë situatat e keqkuptimeve, kundërshtitë në sjelljet ambiguide të personazheve, posaçërisht krijimin e një galerie tipash, ndër të cilat spikatën figurat e Jovan Bregut, e Sandrit, e tezes etj.
Si përherë me A. Qesarin, do të vinte në skenë komedinë “Valsi i Titanikut” e T. Mushateskut (1989). Tanimë nuk u shpërfaqen në mënyrë të dukshme elementët burleske, as iu mësua enkas anëve argëtuese e pa të keq të humorit.
Përkundrazi, koncepti regjisorial u trupëzua nëpërmjet përvijimit të kundërshtive dhe karaktereve të njëmendta, me praninë edhe të sarkazmës, ndaj dhe u ngulmua te një lojë e tipit psikologjik, me një humor që rridhte, më së pari, prej komicitetit të karaktereve.
“Besa” e Sami Frashërit, 1992, ishte rikonfirmimi i një vepre fillimtare të dramaturgjisë shqipe, duke kërkuar prej saj jo aq rrafshin mitik dhe ekzotik të besës por rivlerësimin social si instuticion njëherit sacral dhe etnologjik shqiptar.
Zgjedhja e kësaj drame ishte edhe një mision për të pohuar karakterin demokratik të brendësisë së saj, posaçërisht mirëkuptimin klasik, dikur i papranueshëm nga kritika zyrtare dhe vetë kupola partiake në shfaqjen e saj të vitit 1951, si kinse zgjidhje kompromisi midis klasave.
“Kati i gjashtë” e A. Zhehri, 1993, solli një atmosferë sa dramatike po aq komike. Me një prerje burleske të tipit të farsës u konceptua vënia në skenë e komedisë “Tetë persona plus” e Ferdinand Radit, më 1994. E një natyre tjetër ishte ajo e komedisë “Dua burrë” (2002) në kompaninë “Publimedia”, përshtatje nga A. Saqellaris (Zonjusha 39 vjec).
Ketu ra në sy format burleske dhe fareske në vizatimin e karaktereve, tejzmadhimet dhe prania këndellëse e elementeve argëtuese, bufonada, ekzagjerimet e qëllimta në gjeste, në menyren e të folurit dhe në trajtimet plastike.
Në vitin 2000, inicioi Festivalin Ndërkombëtar “Butrinti” në Sarandë, me parapëlqim shfaqjet që sjellin dramaturgjinë antike, atë klasike, nga teatro me emër në vendet e Ballkanit dhe Europës, duke krijuar një fizionomi artistike dhe institucionale gjithnjë e më të spikatur. Festivali mbahej në teatrin antik të Butrintit.
Në vitin 2007, vuri në skenë dramën “Kambanat e muzgut” e Teodor Laços, duke sjellë një imazh dramatik të kohëve të dhunshme të fillimviteve pas vendosjes së pushtetit komunist në Shqipëri, ankthin, tmerrin, burgimet dhe tjetërsimet, të gërshetuara këto me lindjen e një dashurie tragjike midis dy të rinjve nga klasa armike, që sfidojnë përkatesitë e tyre politike.
A. Bualoti ka luajtur dhe në disa filma si aktor, ndër ta: Ramizi te “Përtej mureve të gurta”, inxhinieri te “Dy herë mat”. Me rolin e Vlashit në filmin “Pylli i lirisë” frymoi figurën e djaloshit të dashuruar pas kuajve, pyllit dhe lirisë, duke e kundruar në nje optikë sa liriko-poetike, po aq e kahut psikologjik.