Me 6 vota pro dhe 3 kundër KLGJ ka vendosur mbarimin e mandatit të gjyqtarit të Gjykatës së Lartë, Ardian Dvorani.
Realtorja Marcela Shehu është shprehur, se Dvoranit i ka mbaruar afati kushtetues për të pritur pasardhësin. Sipas saj, qëndrimi i tij në detyrë cënon parimet e Kushtetutës.
“Dvoranit i ka mbaruar afati kushtetues për të pritur pasardhësin. Qëndrimi në detyrë mbi afate rrezikon dhe cënon parimet e Kushtetutës“, tha Shehu.
Ndërkohë njëri nga anëtarët, Alban Toro, kërkoi që Këshilli të shprehet dhe të konstatojë mbarimin e detyrimit të Dvoranit për të qëndruar në gjykatë. Mendim të kundërt shfaqi Brikena Ukperaj, e cila u shpreh se detyrimi i Dvoranit për të qëndruar në Gjykatën e Lartë nuk ka mbaruar.
“Detyrimi i Dvoranit për të qëndruan në Gjykatën e Lartë nuk ka mbaruar. Detyrimi i Dvoranit mbaron në momentin e përzgjedhjes së anëtarit të 4, që vjen nga radhët e juristëve të spikatur”, tha Ukperaj.
KLGJ iu kërkoi mendim ndërkombëtarëve për çështjen e Ardian Dvoranit, pasi Presidenti Ilir Meta me dokumente zyrtare kërkonte që ky institucion të shprehej për mbarimin e mandatit të këtij gjyqtari. Sipas Metës, Ardian Dvoranit i ka mbaruar mandati dhe ky post duhet të merret nga një tjetër person. EURALIUS dhe OPDAT nuk dhanë mendim në lidhje me këtë çështje, duke u shprehur se nuk është në kompetencën e tyre.