Ka njerëz që lindin për të bërë histori në ekran, e ka njerëz që lindin për të ndriçuar shpirtin e botës me mirësinë e tyre. Keanu Reeves është të dyja bashkë, një aktor që ka pushtuar kinemanë me role ikonike, dhe një njeri që e ka bërë jetën e tij një testament të dhembshurisë dhe humanizmit. Në ditën e lindjes së tij, nuk është vetëm arti ai që na e kujton, por drita e zemrës së tij.
Më 2 shtator 1964, në Bejrutin e trazuar, erdhi në jetë Keanu Charles Reeves, një emër që më vonë do të bëhej sinonim i kinemasë moderne, por mbi të gjitha i mirësisë dhe thjeshtësisë. I rritur mes Bejrutit, Havait dhe Torontos, ai përjetoi qysh herët braktisjen e të atit dhe vështirësitë e një jete të lëvizshme. Por këto plagë të hershme nuk e errësuan shpirtin e tij; përkundrazi, ia dhanë forcën e heshtur që e karakterizon edhe sot.
Në ekran, ai është përjetësuar si Neo në The Matrix, si John Wick në sagën që i ka lënë vulë të veçantë aksionit, si Jack Traven në Speed, apo Constantine në luftë me demonët. Një trup që lufton, një figurë që mbart mbi vete kërkimin për drejtësi dhe sakrificën. Por jashtë kamerave, Reeves është krejt tjetër: një shpirt i qetë, i dashur dhe i përulur, i cili nuk ka nevojë për skenë për të ndriçuar.
Keanu nuk është thjesht aktor. Ai është artist me shumë dimensione. Ka qenë basist i grupit Dogstar, duke treguar se muzika për të është një rrugë tjetër për të shprehur harmoninë dhe ritmin e brendshëm.
Jeta e tij personale ka qenë një kryq i rëndë: humbja e vajzës që nuk jetoi, tragjedia e partneres Jennifer Syme, ndarja nga miku i tij më i afërt River Phoenix. E megjithatë, ai nuk u mposht. Përballë një fati që shpesh u soll mizorisht, ai zgjodhi të mbetet i mirë, duke treguar se dhimbja mund të kthehet në dhembshuri.
Shembujt e mirësisë së tij janë të panumërt. Nga ndihma anonime prej 20 mijë dollarësh për një grua që po humbiste shtëpinë, te gjestet e përulëta si të ndante kafen dhe kekun e ditëlindjes me të panjohur në rrugë. Nga shpërndarja e 50 milionë dollarëve ekipit të efekteve speciale në The Matrix, deri tek dhurimi i motorëve Harley-Davidson për kaskadorët që e ndihmuan të fluturonte. Nga Rolex-et e personalizuara që u dha kolegëve pas John Wick 4, te udhëtimet me metro e gjestet e heshtura për njerëzit e zakonshëm.
Reeves ka financuar spitale pediatrike, ka dhuruar miliona për kërkime kundër kancerit, për mbrojtjen e kafshëve, për organizata që mbrojnë të varfrit. Dhe të gjitha këto pa bujë, pa vetëlavdërim, larg dritave të zhurmshme të Hollywood-it.
Ai shpesh është quajtur “njeriu më i mirë i Hollywood-it”, por ai nuk ka nevojë për tituj. Sepse keqardhja e tij për të tjerët, buzëqeshja e thjeshtë, gatishmëria për të dëgjuar e për të ndihmuar, janë dëshmi të një shpirti të rrallë.