Ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi e sheh kërkesën e presidentit Ilir Meta për të ndëshkuar anëtarët e Gjykatës Kushtetuese si shantazh për shkak të çështjes së shkarkimit që ndodhet në tryezën e kësaj gjykatë dhe do të shqyrtohet më 1 shkurt të muajit që vjen.
Dje presidenti Meta i ka kërkuar Komisionit të Posaçëm të Apelimit (KPA) hetimin disiplinor për relatoren e çështjes, Fiona Papajorgji, por edhe për anëtarët e tjerë të Gjykatës Kushtetuese.
Gazeta foli dje me ish-kreun e SHISH, i cili i cilësoi sulmet e Metës ndaj anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese si skandal. Madje në reagimin e tij për gazetën “SOT”, zoti Klosi theksoi se pavarësisht këtyre përpjekjeve, gjasat janë që zoti Meta të shkarkohet nga Kushtetuesja, duke qenë se ka shkelur disa herë Kushtetutën e Shqipërisë.
“Sulmet dhe presionet e Ilir Metës kundrejt anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, janë të papranueshme dhe tregojnë qartë se ai i frikësohet shkarkimit nga kjo gjykatë. Kështu që mendon se përmes kërcënimeve do të shantazhojë anëtarët Kushtetues, në mënyrë që kjo e fundit ta “amnistojë”, duke mos e shkarkuar.
Por Iliri harron një gjë dhe kërcënimet janë këto, pasi kjo lloj strategjie nuk ka më vlerë, në kushtet kur Meta ka bërë shkelje të rënda kushtetuese dhe gjasat janë që ai të shkarkohet. Provat që mazhoranca ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese janë shumë të qarta dhe nga kjo pikëpamje ai po përdor presionin si kartë të fundit, me shpresën se do të shpëtojë, duke mos u shkarkuar”, deklaroi ai.
Ish-kreu i SHISH: Meta e di se nuk luhet me amerikanët
Më tej ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi komentoi edhe deklaratën e presidenti Ilir Meta se nuk i trembet një vendimi të amerikanëve për ta shpallur atë “non grata”, teksa e këshilloi kreun e shtetit që të mos nxitohet, pasi sipas tij, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk luhet, pasi janë shteti më i fuqishëm dhe më serioz i botës.
“Dhe sikur të mos mjaftonte kjo, dua të shtoj se Meta bën gabim që ngutet dhe sfidon amerikanët, duke iu thënë ja ku më keni dhe nxirrini provat që keni ndaj meje. Nuk luhet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kjo është këshilla ime për Ilirin”, u shpreh ai.
Klosi: Meta dhe Berisha, miq të vjetër me njëri-tjetrin
Duke komentuar raportet dhe afrimitetin që presidenti Ilir Meta ka me ish-kryeministrin Sali Berisha, ish-kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Fatos Klosi u shpreh gjatë prononcimit për gazetën “SOT”, se këta të dy janë aleatët të vjetër.
Madje, zoti Klosi theksoi se dyshja Meta-Berisha ndodhen në një situatë të vështirë. “Ilir Meta dhe Sali Berisha janë aleatët të vjetër me njëri-tjetrin. Madje po e them për ju për herë të parë që Meta dhe Berisha janë aleatët shumë të vjetër, edhe më të vjetër se sa kujtojnë dhe mbajnë mend njerëzit. Janë shumë interesa që lidhin Saliun me Ilirin, gjë që po tregohet hapur ditët e fundit, ku ata i mbajnë iso njëri-tjetrit.
Si Metës, ashtu edhe Berishës nuk po iu shkojnë gjërat shumë mirë dhe e dinë që i pret një e ardhme e vështirë, Kështu që kanë bashkuar forcat dhe po tregojnë hapur që ata janë aleatët të vjetër”, nënvizoi ishkreu i SHISH, Fatos Klosi për gazetën “SOT”.