• Kontakt
Wednesday, September 3, 2025
  • Login
Shqipet
  • Aktualitet
    • Kronike
    • Diaspora
    • Bota
    • Sociale
    • Kulture
  • Debat
  • Blog
  • Dosja X
  • Speciale
  • Histori
  • Nostalgji
  • Kuriozitete
  • Humor
  • Sport
No Result
View All Result
Shqipet
No Result
View All Result
Home Nostalgji

MEMORIE! Kujtojmë sot 102 vjetorin e lindjes të aktorit të madh Naim Frashëri!

16/08/2025
in Nostalgji
A A
MEMORIE! Kujtojmë sot 102 vjetorin e lindjes të aktorit të madh Naim Frashëri!
1.4k
VIEWS
Share on FacebookShare on Twitter

Aktor i shquar Naim Frashëri Lindi në Leskovik, më 15 Gusht 1923 nga një derë e fisme atdhetarësh e dijetarësh. Qysh nxënës në Gjimnazin e Tiranës, më 1943, u aktivizua si amator në përgatitjen e shfaqjes së dramës “Vilhelm Teli” të F. Shiler, nën kujdesin e prof. Aleks Buda dhe me regjinë e Fiqiret Fterrës. Si partizan mori pjesë në grupin teatror të Priskës, i cili më 28 nëntor 1944 shfaqi pjesën “Partizanët” të Fatmir Gjatës, ku luajti një nga rolet kryesore, atë të komisarit.

Ishte ndër aktorët themelues të Teatrit Kombëtar (më 24 maj 1945, i quajtur “Teatri i Shtetit”, ndërsa më 1947 “Teatri Popullor”). Në 30 vjet punë të pareshtur krijuese pranë Teatrit Kombëtar, me artin e tij të fuqishëm e brilant ai gdhendi një galeri të vërtetë figurash artistike. Numërohen mbi 80 role nga dramaturgjia shqiptare dhe ajo botërore. Pas një sërë rolesh episodike në dramat sovjetike dhe të autorëve të tjerë nga vendet e Europës Lindore, regjisori Pandi Stillu i besoi rolin e Fjodorovit në dramën “Invadimi”, e Leonid Leonovit, 1947, që shënoi edhe zbulimin e tij si aktor i emocioneve të mëdha.

Në vitin 1956, luajti qysh në premierën e parë të dramës “Familja e peshkatarit” të Sulejman Pitarkës, rolin e Selimit, duke jetësuar figurën e një të riu ambicioz, në proçesin e bjerrjes politike e morale, gjegjësisht, polit antagonist të konfliktit. Rritje të ndjeshme pësoi krijimtaria e tij aktoriale me interpretimin që i bëri rolit të Ferdinandit në dramën “Intrigë e dashuri” e Frederik Shiler, me regjisor Mihal Luarasin.

Këtu paraqiti me një emocion të thellë trazimin shpirtëror të të riut fisnik, shkaktuar nga rrethanat mbytëse konservatore të kohës, me fatalitetin që vinte prej keqkuptimeve, paragjykimeve dhe diferencimeve sociale në pamundësinë e jetësimit të dashurisë së tij për Luiza Milerin, një vajzë e brishtë e poetike nga shtresat e varfra të shoqërisë. Më vonë, ai interpretoi me pathos dramatik rolin e Havardit te drama “Rrënjë të thella”, me regjisorin rus Kriçko.

Aktor i shumëanshëm, me një prerje natyrale e të fuqishme kah tragjikja, N. Frashëri provoi me sukses edhe gjininë e komedisë, duke i kushtuar gjithkund vëmëndje zbërthimit të botës së brëndshme, kundërshtive dhe mospërputhjeve që buronin nga karakteri kontradiktor i personazhit; po ashtu, u dha formë të mprehtë teprisë së ndjenjave dhe pasioneve të ekzaltuara, të cilat shfaqeshin në një formë komike, veçse gjithëherë të besueshme, realiste, të vërteta.

Më 1961, luajti mrekullisht Hamletin, princin fisnik, mësues i së drejtës legjitime dhe i kurorës. Pos të tjerave, ai theksoi frymën dhe vetëdijen shqiptare në gjykimin dhe vleresimin moral, sa i takon tradhtisë bashkëshortore si dhe krimit brënda familjes, përkatësisht vëllai ndaj vëllait. Tonet e buta, vështrimi i ëmbël, hiri skenik prej djaloshi të dashuruar e plot virtyte u gërshetuan me vlimet psikike, pathosin romantik, ndjenjat sublime, klithmat hakmarrëse, shpërthimet dhe akuzat, ndjeshmërinë e thellë të princit të fyer dhe të poshtëruar.
Ndër skenat më tronditëse, ku shpirti i tij i fyer merrte hov e shkumëzonte ishte ajo me nënën; për fat të mirë, pjesërisht e regjistruar. Gjenia krijuese e tij barabitej me realizimet më të mira që i ishin bërë këtij roli asokohe në disa vënde europiane, sikundër vetë sakaq parapëlqente të përvetësonte e të mësonte nga loja e Aleksandër Moisiut dhe Hamleti i tij i famshëm. Një kulm i dytë i aktrimit të N. Frashërit vjen tanimë nga dramaturgjia shqipe: Jonuz Bruga në dramën “Familja e peshkatarit” e Sulejman Pitarkës (versioni i vitit 1974, regjisor Misto Zoto).

Interpretimi i tij pasional dhe i dhimbshëm i dha frymë një figure të kahut dramatik, gjithashtu epik, me spikama dhe ngjyrime të qarta sa kombëtare shqiptare, aq edhe humane. Sërish doli në pah temperamenti i tij shpërthyes si aktor tragjik, ashtu sikundër edhe gjendjet e rënda pezmatike, karakteristika këto të kudogjendura dhe shenjuese për vlerat dhe profilin e tij aktorial. Edhe këtu skena me të birin, Selimin, që pat marrë udhën e tradhtisë, mbetet e papërsëritshme për nga fuqia e lartë emocionale, thellësia e dhimbjes, vlimi psikik, duke nxjerrë në pah aftësitë e tij për të artikuluar dhe përcjellë me afsh zgripet ekzistenciale të prindit, tashmë në caqet e paradigmës dhe arketipit etnopsikologjik shqiptar.
Me rolin e Vinickit (“Xhaxha Vanja” e Çehovit, 1964, regjisor Andrea Malo) ai pikturoi me elegancë dhe emocion intelektualin, shkrimtarin dhe njeriun e ndershëm, punëtor e fisnik, gjithashtu fatkeq nga dashuria e parealizuar, nga rrethanat mbytëse të jetës në provincë, si dhe mediokriteti intelektual. Në vitin 1965 interpretoi Edgarin te tragjedia “Mbreti Lir” e regjisorit Pandi Stillu, rol ky i një natyre tjetër, tashmë “negative”, kontradiktor, dinak, hakmarrës dhe autoritar, duke e kthyer kështu formatin dhe klishenë e tij interpretative (të parapëlqyer nga regjisorët) dhe duke e begatuar talentin me qasje të reja, krahasuar me rolet e shumta të heronjve, të dashnorëve apo të personazheve pozitive, të cilët i pat luajtur rëndom më parë.

Palitra e pasur interpretative e N. Frashërit përfshin edhe shumë figura të tjera në mbi 30 vjet karrierë artistike, ku veçohen ajo e kuestorit italian (“Qielli i kuq” i Tefik Çaushit, 1965), e Ribakovit (“Orët e Kremlinit” e N. Pogodinit, 1957), e Shpendit (“Mbi gërmadha” e F. Paçramit), e Teodorit (“Qeni i kopshtarit” e Lope de Vegas), e gjeneralit (“Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, roman i I. Kadaresë, dramatizuar nga P. Mani, 1971), e dhjetëra të tjerë. Aktrimi i N. Frashërit spikati për tonimin e qartë tragjik e dramatik, për një shpirt me natyrë shpërthyese.
Drithëruese e plot pasion në skenë, në lojën e tij ngaherë buiste një ndjeshmëri e lartë, e vetvetishme, spontane, burimore si edhe një temperament eruptiv. Paçka se i vrullshëm dhe herë-herë patetik (në fillimet e veta), loja e tij erdhi duke fituar përmasë dhe thellësi emocionale duke qenë gjithashtu e butë, shpesh lirike e poetike, pasi ai kishte cilësi të sprovuara vokale, një zë natyror prej këngëtari, ashtu tingëllues, tenor, me një timbër të pastër, ku vibronin e fitonin ngjyrë nota e gjendje të dhimbshme. Kishte një portret e hir skenik të dukshëm, që i falte sharm e bukuri.

Ishte aktor me vullnet për të fituar dije e kulturë, i përkushtuar si artist-qytetar në mbarëvajtjen e punëve në Teatrin Kombëtar, fisnik e miqësor, sakaq me humor të mirë dhe inkurajues për kolegët dhe aktorët e rinj. Për cilësi morale dhe profesionale iu dha Titulli i Lartë për kohën “Hero i Punës Socialiste”. Njohuritë profesionale dhe puna analitike në zbërthimin e roleve ishin tipare që e shoqëruan gjatë gjithë karrierës çka vihej re në mënyrën se si i bënte të tijat përvuajtjet tragjike e dramatike të figurave të mëdha (Hamleti, Edgari, Voinici, Jonuz Bruga gjenerali etj).

N. Frashëri me talentin e madh, bëri të dukshëm psikikën e tronditur të personazheve të njohur, dinte të hynte lirisht aty, duke u dhënë trajtë të bukur skenike brengave e traumave rrënuese të njeriut në udhëkryq; arrinte që të përfaqësonte me një gjuhë shprehëse gjendjet e ndera psikike, shpesh pa rrugëdalje apo edhe fatale. Sado që me ngarkesa e tensione shpirtërore të skajshme, loja e tij nuk ishte bërtitëse, deklarative, patetike. Përkundrazi, rolet që ai jetësoi, të gjendura shpesh në zgripe ekzistenciale, shquheshin për forcën realiste, ishin të përvuajtuar, tepër njerëzorë dhe bindës.

Si aktor serioz, ai punonte me përkushtim edhe për vizatimin e roleve të dyta, deri edhe ato episodiket (Vand der Lube tek “Proçesi i Lajpcigut”, Kryetari i Gjykatës tek “Revizori” e N. Gogolit, Mahmudi tek “Halili dhe Hajria” e Kolë Jakovës, oficeri turk tek “Dragoi i Dragobisë” etj.). Veç kësaj, N. Frashëri ishte një nga mjeshtrat e interpretimit të fjalës artistike (p.sh. recitimi i poemës “Bagëti e Bujqësi” e N. Frashërit etj).

Dashuronte muzikën, sidomos atë klasike, simfonike, operistike çka e frymëzonte dhe e ndihmonte së tepërmi në krijimin e gjendjes së dëshiruar emocionale kundruall roleve. Megjithëse ishte pak i aktivizuar për arsye të vdekjes së parakohshme a ndonjë paragjykimi si “aktor teatri”, N. Frashëri ka luajtur edhe disa role në kinematografi. Kështu, interpretoi në filmat ruso-shqiptarë “Skënderbeu”, 1953 (Pali), “Furtuna”, 1959 (Qemali); në filmat e parë artistikë shqiptarë “Fëmijet e saj”, 1956 (mësuesi) dhe “Tana”, 1958 (Stefani).

Më pas ka luajtur në filmat “Gjurma” (doktor Artani), “Plagë të vjetra” (kirurgu) etj. Roli më i realizuar në kinematografi ishte majori Fon Shtolc në filmin “Ngadhënjim mbi vdekjen”, ku u dallua për vështrimin realist, qasjen interesante në ravijëzimin e karakterit të personazhit duke e zhveshur atë nga skema dhe paragjykimet mbi “të keqin”, “armikun”, “kriminelin”, duke i dhënë veprimit besueshmëri në sajë të lojës me kundërshtitë midis dukjes kinse njerëzore të këtij oficeri nazist dhe thelbit prej njeriu të egër.

N. Frashëri ka dhënë ndihmesë të vyer edhe në përgatitjen e aktorëve të rinj si Pedagog i Mjeshtërisë së Aktorit qysh me ngritjen e Shkollës së Lartë për aktorë “Aleksandër Moisiu”, pranë Teatrit Popullor dhe më vonë në degën dramatike të Institutit të Lartë të Arteve. Ishte laureat i “Çmimit të Republikës”. Mbante titullin “Artist i Popullit”. U nda nga jeta më 18 shkurt 1975.
Në vitin 2010 Presidenti i atëhershëm i Republikës z. Bamir Topi dekoroi aktorin e mirënjohur Naim Frashëri, (pas vdekjes), me Urdhrin “Nderi i Kombit”, me motivacionin “Personalitet me kontribute të rralla në historinë e skenës dhe kinematografisë kombëtare, që me karrierën e shkëlqyer si aktor dhe pedagog i fjlaës artistike, me origjinalitetin në interpretimet e shumë roleve nga fondi i artë i krijimtarisë shqiptare dhe asaj të huaj, mbetet një figurë e madhe e artit shqiptar”.

Share197Tweet123


  • Trending
  • Comments
  • Latest
Tërmet me magnitudë 7.7 në Xhamjka, dalin videot e frikshme si u përjetua në plazh

Tërmet me magnitudë 7.7 në Xhamjka, dalin videot e frikshme si u përjetua në plazh

28/04/2020
Rama citon fjalët e shenjta: Shpërndahuni që zjarri (koronavirusi) mos të ketë me çfarë të ndizet dhe kështu ai shuhet!

“Jam drithëruar fortë”! Kryeministri Rama publikon videon që i ra në dorë mbrëmjen e djeshme

30/03/2020
“Djali im, mos më lër”! Për çfarë i lutej bashkëshortja të madhit Xhevdet Ferrit?! Bulku: Ja rolet më të bukura të Xhodës, kush ishin miqtë e tij

“Djali im, mos më lër”! Për çfarë i lutej bashkëshortja të madhit Xhevdet Ferrit?! Bulku: Ja rolet më të bukura të Xhodës, kush ishin miqtë e tij

18/01/2020
‘Fast & Furious’ në autostradën Tiranë-Durrës, policia paralajmëron shoferët: 191 km/h, e papranueshme kjo shpejtësi vrastare (VIDEO)

‘Fast & Furious’ në autostradën Tiranë-Durrës, policia paralajmëron shoferët: 191 km/h, e papranueshme kjo shpejtësi vrastare (VIDEO)

Çfarë po bëjnë këto ditë Rudina Dembacaj dhe ish-deputeti Mark Frroku pas deklarimit publik(FOTO)

Çfarë po bëjnë këto ditë Rudina Dembacaj dhe ish-deputeti Mark Frroku pas deklarimit publik(FOTO)

Pakti për reformën zgjedhore “shkrin” partitë e vogla: Nga depolitizimi i komisionerëve, te kufizimi i financave

Pakti për reformën zgjedhore “shkrin” partitë e vogla: Nga depolitizimi i komisionerëve, te kufizimi i financave

Charlie Chaplin: Kurrë mos mendo se je mirë, jeta ka mënyra të çuditshme për të të vërtetuar të kundërtën

Charlie Chaplin: Kurrë mos mendo se je mirë, jeta ka mënyra të çuditshme për të të vërtetuar të kundërtën

03/09/2025
Tragjedi gjatë xhirimeve të “Emily in Paris”! Vdes në Venecia ndihmësregjisori Diego Borella

Tragjedi gjatë xhirimeve të “Emily in Paris”! Vdes në Venecia ndihmësregjisori Diego Borella

03/09/2025
Më shumë se dy dekada pas divorcit, Demi Moore dhe Bruce Willis vazhdojnë të dëshmojnë se disa lidhje nuk i nënshtrohen kohës

Më shumë se dy dekada pas divorcit, Demi Moore dhe Bruce Willis vazhdojnë të dëshmojnë se disa lidhje nuk i nënshtrohen kohës

03/09/2025
Shqipet

Copyright Zathur© 2013

Navigate Site

  • Kontakt

Follow Us

No Result
View All Result
  • Aktualitet
    • Kronike
    • Diaspora
    • Bota
    • Sociale
    • Kulture
  • Debat
  • Blog
  • Dosja X
  • Speciale
  • Histori
  • Nostalgji
  • Kuriozitete
  • Humor
  • Sport

Copyright Zathur© 2013

Welcome Back!

Login to your account below

Forgotten Password?

Retrieve your password

Please enter your username or email address to reset your password.

Log In