Iu dha sot lamtumira e fundit regjisorit të shquar të kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti. Ashtu siç kishte lënë amanet, trupi i tij do të prehet përjetë në fshatin e tij të lindjes, në Vuno.
Pas ceremonisë shtetërore të homazheve dhe shpalljes Ditë Zie Kombëtare më 2 shtator, familja, ish-kolegë e dashamirës të artit të tij, u zhvendosën sot drejt Vunoit për përcjelljen për në banesën e fundit.
Dhimitër Anagnosti do të kujtohet si një nga themeluesit e artit filmik në Shqipëri, autor i dhjetëra filmave të njohur që kanë lënë gjurmë në historinë e kinemasë shqiptare dhe në kujtesën e shumë brezave.
Lidhja e Anagnostit me Vunoin, ka qenë e thellë dhe e pasqyruar në shumë prej prodhimeve të tij kinematografike. Aty ku gjeti frymëzimin në rrugëtimin e tij profesional, pikërisht tek Vunoi, ai kërkoi edhe prehjen e përjetshme.
Kolosi i kinematografisë shqiptare, Dhimitër Anagnosti u nda nga jeta në 1 shtator, në moshën 89-vjeçare, shkruan atsh.