Drande Xhai Lindi në Shkodër, më 13 qershorm1960. Mbaroi liceun artistik “Jordan Misja” më 1978 dhe më pas studion për një vit në fushën e aktrimit pranë Teatrit Popullor.
Në vitin 1979, filloi punë në Estradën e Shkodrës ku ende vazhdon deri më sot.
Është aktore me prezencë skenike, e hijshme, e sigurt në veprim, me një diksion të pastër dhe kumbues.
Anon nga një humor plastikisht elegant, ku ndihet kujdesi për të ravijëzuar figura grash “fisnike”, “qytetare”, snobe, sikundër edhe fshatarka llafazane, disi të pagdhendura që shtiren si të mençura etj.
Ka lënë mbresa me disa karaktere nga mjediset qytetare shkodrane dhe përreth tij si në skeçet dhe komeditë e shkurtra “Daja i burrit” (roli i zonjës së shtepisë), “Toka jonë” (fshatarja), “Toka e Dufit” (fshatarja), “Dhëndri nga Amerika” (vajza), “Milioner pa asnjë kacidhe” (Burbuqja); gjithashtu ka luajtur në komedinë “Bileta e llotarisë” e Dionis Bubanit, “Çështje familjare” (roli i vajzës) e Fadil Krajës etj.
Në një pjesë të madhe në premiera të shumta ka luajtur rolin e prezantueses, duke spikatur për të folurën e bukur, hirin dhe prezencën skenike.