2 vite pa aktorin e paharruar Lutfi Hoxha 1934 – 2023, Mjeshtri i Madh i skenës dhe ekranit, me një karrierë që zgjati 66 vite, me 95 role në teatër dhe 22 role në kinematografi.
Për publikun shqiptar ai do të mbetet gjithmonë “babai i Tilit” në filmin Shoku ynë Tili, ndërsa për kolegët e teatrit të Durrësit ishte thjesht “Luti”.
Nga themeluesit e teatrit “Aleksandër Moisiu” në vitin 1953, deri tek pjesëmarrja e tij e fundit në premierat e këtij institucioni, Hoxha i qëndroi skenës besnik deri në fund.
Në vitin 2018 interpretoi në filmin Derë e hapur, duke vendosur një tjetër rekord si një nga aktorët me karrierën më të gjatë në kinemanë shqiptare, që nisi me filmin Detyrë e posaçme (1956).
Një jetë e tërë e përkushtuar artit, që mbetet frymëzim për brezat.