Xhelal Tafaj Lindi në Tiranë, më 31janar 1953. Mbaroi Institutin e Lartë të Arteve, më 1976, dhe fill më pas u emërua aktor në teatrin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit; pak kohë ishte drejtor i tij (1998). Në vitin 1992-1995 punoi si nëpunës për kulturën në Bashkinë e Durrësit.
Roli i parë ishte ai i Spartit te drama “Dështimi i një kryqëzate” e Kadri Pirros; më pas luajti role kryesore, më së shumti në planet romantike, heroike e dramatike, personazhe pozitive me lëngata dashurie, përvuajtje ekzistenciale apo luftë për mbijetesë, si Bozdari te “Përtej dashurisë”, dramatizimi i poemës së Jeronim de Radës “Serafina Topia” (1984), Hepi Bern te “Net vere”, dramatizim i romanit Netë tragjike amerikane të Erskin Kollduellit, Marko te “Këngë dashurie me korba” (1994) dhe Marko te “Qytet pa dashuri” të Bashkim Hoxhës, Altini te “Trokitjet në dyert e dhimbjes” (2001), autor e regjisor Serafin Fanko, doktori te “Babai” e A. Strindberg.
Herë pas here ai shkeputej nga modeli tashmë i provuar i aktorit –hero, apo ai i personazheve të përvuajtur mes peripecive të dashurisë, fatalitetit, dështimeve, rrethanave tragjike etj. Provonte me sukses edhe në komedi, filluar që me rolin e Agronit te “Kartela e verdhë” (1981), me shefin e karabinierëve të “Kush paguan” (2004) e Dario Fo-së, apo me role negative nën optika satirike e sarkastike si Grigu te “Ylli pa emër” e M. Sebastian (1998), Knurov te “Vajza pa prikë” (2006) e N. Ostrovskit etj. I ketij formati, por i përpunuar sajë logjikës së fortë të veprimit, ishte edhe roli i Stonit te drama “Tango” (2008) e Slavomir Mrozhekut .
Me figurën kontradiktore të Alfredit të drama “Të jesh nënë” e Roberto Braccos, 2006, fitoi çmimin si “Aktori më i mirë” në Festivalin e Teatrit Shqiptar në Dibër, Maqedoni. Ka luajtur edhe në filma, ku spikati me rolin e Fatjonit tek “Mysafiri”. Xh.Tafaj bën një aktrim të ndjerë, përgjithësisht në tone psikologjike e forma të buta, por ku nuk përjashtohet, përkundrazi theksohet përvuajtja; ka një qetësi të brëndshme, vetësiguri, prani skenike të shfaqshme, zë të bukur dhe shqiptim të qartë të fjalës, hir skenik.
Role në filmin shqiptar: “Tomka dhe shokët e tij” – (1977)… Antonio; “Çeta e vogël” – (1979… Ndreca; “Mysafiri” – (1979)… Fationi; “Një ndodhi në port” – (1980)… Artani; “Shokë të një skuadre” – (1984)… Urani; “Kthimi i ushtrisë së vdekur” – (1989)… Ish oficeri italian; “Kronikë e një nate” – (1990)…Kristaq Bushi; “Trokitje në dyert e dhimbjes” – (1997).









