Sot aktori dhe regjisori Bruno Shllaku feston 69 vjetorin e lindjes dhe ne i urojmë të festojë sa më shumë vite të tjera.
Bruno Shllaku (1957). Aktor, regjisor. Lindi në Shkodër, më 3 shkurt. Është biri i regjisorit Lec Shllaku, i martuar me aktoren Paskualina Shllaku (Gruda). Shkollën e mesme e kreu në qytetin e lindjes. Fillimisht u aktivizua si amator, pastaj u tërhoq nga teatri “Migjeni” si aktor profesionist. Ka luajtur 67 role, kryesisht të tipologjisë dramatike, tragjike dhe heroike.
Figura e tij më e realizuar në këtë teatër është ajo e Palit në dramën Gjaku i Arbërit e Fadil Krajës (1981) ku ai dalloi për fuqinë ,temperamentin, epicitetin dhe tonet dramatike e tragjike në trajtim që i dha kësaj shëmbëlltyre baladeske. Si cilësi të brëndshme të aktrimit të tij veçohen: patosi romantik, forma epike e përshfaqjes, hiri skenik, shtati i hijshëm prej heroi, temperamenti sanguin, thellësia e ndjenjës, ku herë-herë, pas vetëpermbajtjes, arrihet edhe në shpërthime të befasishme emocionale.
Pas vitit 1992, emigori në Greqi. U aktivizua aty si regjisor me një trupë prej 6 aktorësh grekë duke vënë në skenë disa pjesë. Në vitin 2002 u kthye në Shqipëri, duke luajtur si aktor apo duke realizuar disa projekte si regjisor. Nga pasionet dhe arritjet e tij është edhe recitimi i vargjeve të zgjedhura nga poezia shqipe, ndër ta Fishta, Mjeda, Migjeni, Poradeci etj.









