Kolë Kaftalli lindi më 2 shkurt të vitit 1946 në Shkodër. Aktor dhe regjisor i mirënjohur i skenës shqiptare. Rrjedh nga një familje e shquar artistësh . Një nga emrat e njohur të artit skenik sidomos në qytetin e Shkodrës. U diplomua në Institutin e Arteve të Bukura në Tiranë.
Pas diplomimit fillon punën në teatrin “Migjeni” në Shkodër. Me trupën e këtij teatri interpreton rreth 60 drama e komedi, përfishirë edhe disa në Teatrin Kombëtar. Ka interpretuar në role të ndryshme edhe në filma artistik të kinostudios dhe RTSH.
Në vitin 1978 bën debutimin në film me një rol të vogël ne “Nusja dhe shtetërrethimi”. Ndër filmat e tjerë mund të përmendim: “Ditët që sollën pranverën” (Ndërlidhësi i bandës) 1979; “Skëterrë 43” (Një nga të burgosurit) 1980; “Qortimet e vjeshtës” 1981; “Flaka e maleve” (Halili) 1982; “Njeriu i mirë” (Agroni) 1982; “Të paftuarit” 1985; “Kur hapen dyert e jetës” (Gjeka) 1986; “Bregu i ashpër” (Kryetari) 1988: “Një i tretë” (Skulptori) 1988 etj.
Pjesë e karrierës artistike të Kolë Kaftallit ka qenë edhe regjisura, ku numërohen disa drama të vëna në skenë prej tij në qytetitn e Shkodrës. Në periudhën e fundit të jetës ai iu kushtua teatrit të fëmijëve, duke qënë edhe i pari në qytetin e Shkodrës dhe në veri të Shqipërisë që ngriti teatrin e kukullave. Ndahet nga jeta në moshën 63 vjeçare më 7 tetor 2009, pas një sëmundje të rëndë.









