Shkëlqim Basha (1945). Aktor. Lindi në Tiranë. Pas mbarimit të shkollës së lartë për aktor “Aleksandër Moisiu”, më 1965, u emërua aktor në Teatrin Popullor, derisa doli në pension. Me portretin, të dhënat fizike dhe plotërinë aktoriale, u bë i pëlqyer në interpretimin e rolit të Gramozit në filmin “Njësiti gueril”, 1969.
Po në vitin 1969 luajti rolin e Sodës Kaustike në filmin “Përse bie kjo daulle”, një rol tjeter ky me mbartje pozitive, madje moralizuese. Kjo linjë do të përthellohej më tutje në shumë role të tjera, të luajtura kryesisht në teatër, ku ai mbeti i mirëpritur nga regjisorët, për tiparet prej heroi dhe njeriu të fortë që mund të mishëronte.
Veç tyre provoi me sukses dhe role antagonistësh, bartës të së keqes, kriminelë e tinezarë, sikurse ishte Gjeta te drama “Cuca e maleve” e Loni Papës (1967). Arritja më e madhe e aktrimit të tij në teatër ishte realizimi me mjeshtëri i rolit të Arturo Uisë në dramën me të njëjtin titull të B. Brehtit (1976).
Paçka se ishte dubland me aktorin e shquar shqiptar Kadri Roshi, ai i dha këtij roli një përmasë të qartë sociale, ojnat prej krimineli dhe gangësteri politik që identifikoheshin bukur në planet e historisë së Arturo Uisë me klithmat dhe delirin e tij përpara qytetarëve të Ciceros, duke përdorur me mprehtësi elementet stigmatizuese të satirës dhe sarkazmës.
Një pamje hokatare paraqiti me rolin gaztorit Feste në komedinë “Nata e dymbëdhjetë” të Shekspirit, më 1982. Aktrimi i tij karakterizohej nga gjallëria e të vepruarit, me një prani aktive në skenë. Kishte një zë kumbues, shqiptim të pastër të fjalës: ishte i hijshëm në skenë dhe në ekran.









