Sot mbushen 3 vjet që është ndarë nga jeta aktori i njohur Lutfi Hoxha! ‘Xhevahiri i fundit i plejadës së artë të Teatrit ‘Aleksandër Moisiu’.
Mjeshtri i Madh Lutfi Hoxha me 66 vite jetë artistike ‘bashkëjetoi’ me 95 role në teatër dhe 22 të tjerë në kinematografi.
Për shumë dashamirës të filmit shqiptar, Hoxha është ‘babai i Tilit’ në filmin “Shoku ynë Tili’ ndërsa mes aktorëve të Durrësit ai ishte ‘Luti’.
Deri në vitet e fundit Lutfi Hoxha sfidoi moshën duke qenë aktiv dhe pjesëmarrës në disa nga premierat e teatrit “Aleksandër Moisiu”, pikërisht aty ku kishte hedhur hapat e parë të profesionit në vitin 1953.
Ndërsa në 2018 interpretoi në filmin artistik “Derë e Hapur”, duke thyer edhe një rekord tjetër si një nga aktorët me karrierë më të gjatë të kinemasë shqiptare, karrierë që nisi me filmin “Detyrë e posaçme” në vitin 1963.









