Marjeta Ljarja lindi me 3 shtator 1955 në Pogradec. Pas mbarimit të Institutit të Larte të Arteve, filloi punë si aktore në Estradën e Pogradecit. U martua me aktorin dhe regjisorin e filmit Rikard Ljarja dhe ne vitin 1979 u emërua me punë në Teatrin Popullor. 1995-1997 ishte drejtore e artit në Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.
Pas 1997 emigroi në Greqi dhe u kthye sërish në vitin 2003. Ka luajtur shumë role në skenën e teatrit, si në shfaqjet “Vizita e dasmës plakë” e Durrenmatit, “Rikardi III” dhe “Dy zotërinj nga Verona” te Shekspirit, “Kambanat e muzgut” e Teodor Laços etj. Por emrin si aktore me një talent të dukshëm ia dha ekrani, me mbi 15 filma artistikë. Luajti kryesisht role protagonistësh.
Qysh në vitin 1978 me filmin e parë “Në pyjet me borë ka jetë” (Donika), dhe po atë vit me filmin “Vajzat me kordele të kuqe” (Jeta Duro), ajo ra në sy për profilin interesant: një lojë spontane, e shpenguar, pranë gjasave të jetës, ku ndihej motivimi i brendshëm i sjelljes së personazheve.
Me rolin e Zanës te “Fillim i veshtirë” (1986) dëshmoi aftësitë e saj të shprehura në mënyrën e të aktruarit përpara kamerës: ishte e natyrshme, e brishtë, e besueshme dhe plot thyerje emocionale, duke përballuar me sukses raportet psikologjike delikate si grua e dashuruar, si bashkëshorte dhe si njerkë.
Me rolin e Margarita Begollit te “Rrethi i kujtesës” (1987), shënon edhe pikën kulmore të aktrimit të saj. Ndryshe nga roli i Zanës, në njëmendësimin e rolit të Margaritës ndihen fort tonet dramatike e tragjike, përjetimet e thella, tjetërsimi i skajshëm (deri edhe fizik), duke dhënë pasojat shkatërrimtare nga torturat si dhe proçesin e ripërtëritjes së saj.
Me të dy këto role, M. Ljarja fitoi Kupën e Festivaleve gjegjëse të filmit. Një tjetër rol mbresëlënës është ai i Nerënxës te “Vitet e pritjes” (1990), ku aktorja arrin të krijojë një bashkëjetesë midis dy kaheve të sipërme të parapëlqyera prej saj.









