Pandi Siku karrierën e tij nis një gjysmë shekulli më parë, kur Siku iu bashkua Teatrit Popullor (sot Teatri Kombëtar). Interpretoi një sërë rolesh si Adlini në “Lumi i vdekur”, Arjani tek “Jeta e tjetrit”, Kostandini në “Kush e solli Doruntinën”e të tjerë.
Paralelisht me teatrin nis edhe debutimi i tij në kineamtografi, ku përzgjidhet si protagonisti tek “Brazdat” i regjisorit Kristaq Dhamo, më pas luan një sërë karakteresh në filma të tjerë të suksesshëm si Adnan Pinxho tek “Njeriu me top”, Mani te “Kur hidheshin themelet” Misto tek “Fushë e blertë, fushë e kuqe”, “Koha nuk pret” deri tek filmi “Fletë të bardha” në ’99-ën.
I njohur për interpretimin plot gjallëri e karizëm, Siku ishte vlerësuar dy herë si “Aktori më i mirë në role të dyta”. U largua nga skena e teatrit pasi emigroi në SHBA atje ku u nda dhe nga jeta më 16 gusht 2022 në moshën 73 vjeçare pas një sëmundje të rëndë.









