Në 4 gusht të vitit 2007 u nda nga jeta regjisori i shquar shkodran, Lec Shllaku!
Lec Shllaku aktor dhe regjisor lindi në Shkodër. Shkollën e mesme e kreu në liceun klasik “Illiricum”, maturën në gjimnazin “ 28 nëntori” Shkodër, më 1947, dhe Universitetin e Tiranës për Gjuhë-Letërsi në vitin 1966. Është i ati i aktorit Bruno Shllaku dhe poetit e sudiuesit Primo Shllaku.
Në vitet 1945-1949 vuri në skenë me grupin e teatrit pranë Shtëpisë së Kulturës Shkodër disa pjesë, si: “Agimi”, “Kopraci”, “Jeta fillon përsëri”, “Shërbëtori i dy zotërinjve”, “Tirani i Padovës. Së toku me regjisorin Andrea Skanjeti, u bë ndër artistët që dhanë një ndihmesë të madhe në ngritjen dhe kualifikimin e aktorëve të ardhshëm profesionistë të teatrit “Migjeni” të Shkodrës.
Qysh nga viti 1950-1962 ka punuar si regjisor i këtij teatri.
Në vitin 1952 vuri në skenë në teatrin “Migjeni” komedinë e Molerit “Koprraci”, që shënoi një ngjarje të bujshme artistike për kohën. Ai theksoi veçanërisht anët e forta e dramatike të komedisë, përçudjen e karakterit të njeriut nga vesi i koprracisë, sikundër që trajtimi i figurës së Harpagonit nga aktori Zef Jubani.
Tone të zymta tragjike, shoqëruar me ankth që vinte prej rrezikshmërisë që paraqiste Tuç Maku, u vunë re në inskenimin e dramës “Toka jonë” e Kolë Jakovës, 1954.
Koncepti regjisorial i L. Shllakut i dha një frymë realiste dramës së Ndrek Lucës, “Shtatë shaljanët”, 1958, duke iu larguar zgjidhjeve monumentale e patetike dhe duke mësuar sa më shumë vërtetësi historike dhe karaktere të gjalla.
Me themelimin e teatrit “Skama” të Elbasanit, më 1962-1970 shkoi dhe punoi aty si regjisor, duke vënë në skenë 13 pjesë, 10 drama e 3 komedi, si: “Rrethimi i bardhë”, “Shtatë shaljanët”, “Fundi i një intrige”, “Shqetësimet e Sokratit” etj. Në këtë teatër vuri në skenë me një sukses të bujshëm, falë një fantazie të pasur regjisoriale, komedinë “Njeriu që pa vdekjen me sy e Viktor Eftimiut, 1965; e cila mund të çmohet si një nga punimet e tij më të mira regjisoriale.
Përmes saj ai i dha jetë një subjekti plot peripeci e befasime humoristike (në një nga fushatat elektorale të radhës), duke u ngulmuar në trajtën e mprehtë të kundërshtive komike të veprës, mesazhet e saj, tipat. Me këtë komedi ai shpërfaqi talentet e dy aktorëve të njohur të teatrit shqiptar, Robert Ndrenikës, në rolin e Filimonit, dhe Shpëtim Shmilit, në rolin e Eliodor Pakut, vagbondit. Një humor që rridhte nga shfrytëzimi i mençur i situatës komike, po ashtu nga vizatimi i disa karaktereve orgjinale, u pa edhe te trajtimi që i bëri komedisë “Shërbëtori i dy zotërinjve” e K. Goldonit.
Regjisori u mësoi enkas kontrasteve komike, por pa iu shmangur seriozitetit në ballafaqimin moral e karakterial midis personazheve, të dhëna këto përmes një sarkazme të hollë e pa tepri. Përmes vënies në skenë të dramës “Udha e Zavalinajve” e Thanas Borodanit, 1967 sado qe një refleks i klisheve letrare të kërkuara për trajtimin e temës së fshatit,
L. Shllaku ndërtoi përkundrazi një strukturë dhe atmosferë gazmore, duke ngulmuar më fort në vërtetësinë e raporteve njerëzore, të dhëna përgjithësisht në një tonim optimist e shkaktor, në sajë të dhuntisë për t’i njëmendësuar në shenja e gjetje të mprehta regjisoriale, ndodhitë dhe personazhet e përfshira në subjektin e thjeshtë të kësaj pjese.
Nga viti 1970-1976 ka punuar si mësues letërsie në shkollën e mesme të Shkodrës.
Ka shkruar në gjedhë të ndryshme letrare, si poezi, tregime, romane, publicistikë, studime, një pjesë e të cilave janë ende në dorëshkrim. Në fushën e studimeve mbi teatrin ai ka botuar monografitë Zef Jubani, Loro Kovaçi, ndërsa libri Maska shkodrane është një studim përfshirës, i natyrës historike, me fakte, dokumente dhe vlerësime të shumta, që rrok një periudhë të gjatë të zhvillimi të teatrit në qytetin e Shkodrës e më gjerë, filluar qysh nga Rilindja Kombëtare. Ka botuar gjithashtu poemën “Noria e Nika”, si dhe dramat: “Skënderbeu”, “Shqetësimet e Sokratit”. Mban titullin “Artist i Popullit”.
Lec Shllaku u nda nga jeta më 04.08.2007. Iku në heshtje, pa fjalime e pa bujë, iku ashtu si u mbyll e gjithë jeta e tij, jeta e një punëtori të madh të artit, i harruar në madhështinë e tij. Pak rreshta u shkruan për të. Ekrani nuk gjeti kohë të shfaqte diçka që kishte mbetur nga pasuria e tij e vyer. Në një vuajtje të gjatë fizike e shpirtërore, Lec Shllaku i tha lamtumirë kësaj bote, në moshën 86-vjeçare. Shiko më pak









