Stavri Shkurti (1927-1998). Aktor. Lindi në Korçë. U aktivizua herët në Levizjen Teatrore Amatore të qytetit pranë Shtepisë së Kulturës. U diplomua për inxhinieri në Çeki, por talenti dhe dëshira e afruan me teatrin, duke qenë ndër aktorët e parë në themelimin e teatrit “A.Z”. Çajupi”, më 1952. Me ngritjen e Estradës profesioniste të Korçës, më 1960, shkoi si aktor për nevoja të trupës së saj. Në vitin 1962 kaloi sërish në teatër.
Roli i tij i parë në skenën e këtij teatri ishte ai i Markos në dramën Pamje nga ura e Artur Milerit, në skenën e të cilit do të luante më pas mbi 100 role në 30 vjet karrierë artistike. Ka interpretuar personazhe kryesisht të planit heroik e dramatik, mësues të së drejtës, mbartës e kumtues të moralit të kohës. I parapëlqyer rëndom për rolet e “personazheve pozitive” në teatër si dhe rolin e konferencierit në shfaqje estrade, krijoi një model të tij: njeriun e devotshëm, fisnik, të ndershëm, të dashur, buzagaz, gjithëherë pranë njerëzve në rrezik apo në hall.
Dallohej për zërin e tij të ngrohtë, për përcjelljen e pastër skenike të fjalës shqipe. Harmonizonte mirë çastet e gjendjeve shpërthyese, nervoze e dramatike me ato të një rrëfimi të qetë dhe bisedë bindëse, me tone të natyrshme, nënvizime logjike dhe sjellje të përkryer. U shqua me rolin e Demir Agos në dramën Maro Mokra, 1978, dhe atë të Salës në komedinë “Zonja nga qyteti”, të dyja të Ruzhdi Pulahës (si dhe filmin gjegjës të kësaj të fundit, 1976).
Ka pasur role kryesore në dramat shqipe, si: “Hijet e natës”, “Keneta”, “Martesa e avokatit”, “Mosha e bardhë”, “Të pamposhturit”, “Djemtë e Bato Gorës”, “Me gjuhën e pushkës”, “Plumbat e shkronjave”, “Qyteti i akuzuar” si dhe pjesë nga autorë të huaj si “Vajza pa prikë” e N. Ostrovskit, “Koprraci” e Molierit, “Nata e dymbëdhjetë” dhe “Otello” të Shekspirit, “Ishin të gjithë bijtë” e mi e A. Milerit etj. Emri i tij është po kaq i njohur, në mos më shumë, në kinema; aktor i natyrshëm dhe i aktivizuar dendur në ekran, me 36 role të ndryshm, e më të shumtat kryesore apo të rëndësishme.
Në rolin e Besimit në filmin “Ilegalet” fitoi Medalionin e Festivalit I të Filmit Shqiptar, 1976; po atë vit luajti Taren në filmin “Përballimi”; më tej jetësoi Murat Shtagën në filmin “Njeriu me top”, 1977, një figurë e dhimbsur, martir e atdhetar i devotshëm. I veçantë ishte roli i Qazim Belulit në filmin serial “I treti”, 1978.
Vijoi të sjellë në ekran një sërë karakteresh të gjalla si avokati te filmi “Asgjë nuk harrohet”, 1985, nderuar me Medalionin e Festivalit; Zalo Kapllani te filmi serial televiziv “Agimet e stinës së madhe, 1981; mjeku nazist, cinik dhe i tmerrshëm, që eksperimentonte me kaviet njerëzore, te filmi “Rrethi i kujtesës”, 1987; fajdexhiu te filmi “Vitet e pritjes”, 1990 etj. Ndëron jetë në Selanik, Greqi. Mbante titullin “Artist i merituar”.









