Më 29 janar 2011, Liza Vorfi, një prej ikonave më të ndritura të skenës dhe kinematografisë shqiptare, u nda nga jeta, duke lënë pas një trashëgimi të paharrueshme artistike. Ajo lindi më 29 nëntor 1924 në Gjakovë, dhe së bashku me familjen u vendos në Tiranë në vitin 1932, ku filloi rrugëtimin e saj në botën e artit qysh në moshë të re.
Karrierën e nisi si këngëtare në Radio Tirana në vitin 1939, ndërsa pas studimeve në konservatorë italianë iu përkushtua teatrit me pasion e finesë, duke u bërë një nga aktoret themeluese të Teatrit Kombëtar të Shqipërisë dhe një model frymëzimi për breza aktorësh.
Gjatë karrierës së saj të gjatë artistike, Vorfi interpretoi më shumë se 60 role të ndryshme që nga komeditë e deri te dramat klasike, duke sjellë në skenë figura të thella si Elmira te “Tartufi”, Desdemona te “Otello”, Dorina te “Borgjezi fisnik”, apo Beatriçja te “Shërbëtori i dy zotnive”.
Ajo lë gjithashtu gjurmë të pashlyeshme edhe në kinematografi përmes roleve në filma si “Ata ishin kater”,”Radiostacioni”, “Komisari i dritës”, apo “Kthimi i ushtrisë së vdekur” ku interpretoi edhe rolin e Konteshes Dizeta. Pas një jete të përkushtuar totalisht artit dhe teatrit, Liza Vorfi u nderua me tituj të lartë dhe qëndron si një nga figurat më të respektuara të kulturës shqiptare.
Trashëgimia artistike e Liza Vorfit mbetet një pasuri e çmuar për kulturën shqiptare dhe një dëshmi e gjallë e përkushtimit, talentit dhe dinjitetit në art. Emri i saj do të jetojë përgjithmonë në skenë, në kujtesën e publikut dhe në zemrat e atyre që e duan teatrin e vërtetë.









