Vegim Xhani. Aktor. Lindi në tiranë, më 26 qershor 1940. U bë një nga aktorët e mirënjohur të humorit qysh me aktivizimin e tij në Lëvizjen Teatrore Amatore të qytetit të lindjes, prej nga, me 1976, filloi pune si aktor profesionist në Estradën e Tiranës, ku vazhdoi derisa doli në pension.
Interpretoi në mjaft materiale të larmishme për teatrin e estradës, si komedi të shkurtra, skeçe, monologë, dialogë, pantomima. U shqua posaçërisht në interpretimin e parodive dhe kupleteve, ku shfaqi aftësi vokale e muzikore, që e radhitën në aktorët më të pëlqyer në këtë gjedhe të humorit. Aktrimi i tij kishte nur komik, hijeshi skenike, finese, sidomos në njëmendësimin e tipave fshatarë, disi të leshtë, pijanecë, dembelë, lakimtarë apo e njerëzve pa të keq, baballëk, prej zones së Tiranës.
Nga figurat e bukura të realizuara prej tik ka qenë edhe ajo e rojës ballist në dramatizimin e poemës “Epopeja e Ballit Kombëtar” e Sh. Musarait, më 1972, si dhe ajo e katundarit në komedinë “Revolveri” të Koço Devoles, më 1995. V. Xhani ka luajtur edhe në tri filma, nisur me disa role në filmin “Kur hiqen maskat”, 1975 – një kolazh me materialet më të bukura të Estradës së Tiranës. Ndahet nga jeta në moshën 76 vjeçare në 26 janar të vitit 2017.









