Humoristi shkodran lindi në 4 dhjetor 1939. Gëzim Kruja karrierën humoristike e nisi që në moshën 13-vjeçare. Fillimet me estradën amatore nisën që në kohën kur ishte ushtar më 1958.
Më pas vazhdoi aktivizimin në vitin 1960 me estradën profesioniste të Shkodrës. Gëzim Kruja mbaroi në vitin 1979 Institutin e Lartë Pedagogjik, dega e Gjuhës dhe Letërsisë në Shkodër.
b.ha.
Gëzim Kruja ishte një nga figurat më të ndritura të humorit shqiptar, një emër që mbetet i lidhur pazgjidhshmërisht me qytetin e Shkodrës ose kryeqytetin historik të humorit. I lindur në një familje me tradita të forta në fushën e humorit, ku gjyshi dhe babai kishin bërë emër si personazhe të ftuar në dasma dhe gëzime familjare për të sjellë atmosferë dhe hare.
Trashëgimia familjare u bë themeli mbi të cilin Gëzim Kruja ndërtoi një karrierë të jashtëzakonshme që zgjati mbi 55 vjet. Si aktor, autor, skenarist dhe regjisor i humorit, ai realizoi dhjetëra premiera recitale në Shkodër dhe Tiranë, përfshirë tri në Pallatin e Kongreseve. Mbi 1000 role në skenë, figura të shumta komike e satirike, mimikë e plastikë e përkryer dhe një talent i lindur për t’u transformuar në çdo karakter, këto janë vetëm disa nga arsyet pse publiku e adhuroi dhe e ndoqi gjithnjë me përkushtim.
Ai u shqua edhe si kloun cirku, kupletist, pantomimist dhe mjeshtër i improvizimit. Partneritetet e tij skenike me emra të mëdhenj të artit si: Tano Banushi, Zylia Miloti, Paulin Preka, Katrina Biga, Zef Deda, dhe shumë të tjerë, sollën shfaqje të paharrueshme në skenat shqiptare dhe ndërkombëtare. Kruja kontribuoi fuqishëm edhe në edukimin artistik të brezave të rinj, duke u bërë mentor për talente të reja si: Muhamet Çekini, Bujar Qamili, Bujar Ademovi e të tjerë.









