77 vjet më parë, më 13 nëntor të vitit 1948, u lind në Lushnjë aktorja Pavlina Mani.
Aktorja e jashtëzakonshme e artit skenik shqiptar, ndërtoi karaktere të shumta të cilat janë ngulitur në kujtesën e publikut, si të atij që e ndoqi në skenën teatrore, ashtu dhe të atyre që e panë nga ekrani i televizorit apo në kinema.
Disa nga rolet më të mirënjohura të Pavlina Manit janë: Liria, në komedinë “Pallati 176”; Drita, në serialin “Njerëz dhe Fate”; zonjëza Lulushe, te komedia “Pas vdekjes”; Miriam, te “Radiostacioni”; roli te komedia “Nata e dymbëdhjetë” e Shekspirit; Antigona, te “Stola në Park”; mësuesja e muzikës, te “Lulëkuqet mbi mure”, e tjerë.
I madh dhe i vogël kanë në kujtesë të paktën disa prej batutave të komedive ku ka interpretuar ylli i skenës dhe ekranit. Në një galeri të gjatë shfaqjesh e filmash, Pavlina Mani ka veshur petkun e dhjetëra roleve e karaktereve si e papërkulura, e brishta, gërnjarja apo lozonjare, duke i interpretuar të gjithë me mjeshtëri.
Gëzuar Ditëlindjen Pavlina Mani! Aktorja e jashtëzakonshme e artit skenik shqiptar,
Të urojmë jetë të gjatë e të shëndetshme ikonë!









