Filika Dimo (1939-2021). Aktore. Lindi më 1 gusht të vitit 1939 në Durrës, ndërkaq u diplomua në departamentin e aktrimit në Institutin e Arteve në Tiranë.
Pas diplomimit, ajo filloi të punojë në Teatrin popullor të Tiranës e më pastaj edhe në Teatrin “Aleksandër Moisiu” në Durrës, ku e ndau skenën edhe me shumë aktor të tjerë të njohur si: Nikolin Xhoja, Spiro Urumi, Kadri Pirro, Marta Burda, Lazër Vlashi, Gaqo Spiro etj.
Debutimin e saj në kinematografinë shqiptare ajo e bëri në vitin 1959 me rolin e “Shpresës” në filmin “Furtuna”.
Ajo luajti në katër filma të tjerë artistikë. Filmi që e bëri më të njohur dhe më të vlerësuar atë si aktore, është filmi televiziv me 2 seri i RTSH-së “Koha nuk pret”, me rolin e “Beatriçe Shmid, një rol epokal, më i miri i realizuar në kinemanë shqiptare.
Filika Dimo ndërroi jetë më 21 tetor 2021 në Belgjikë, ku jetonte prej vitesh.