Besim Kurti. Regjisor, aktor, drejtor ekzekutiv. Lindi në Tiranë, më 16 tetor. Kreu studimet në Institutin e Lartë të Arteve për aktor, më 1972 dhe filloi punën në Kinostudion “Shqipëria e Re”, fillimisht si asistent regjisor për filmat dokumentarë. “Bilbili i Labërisë” ishte filmi i tij i parë dokumentar (1977).
Pas disa filmave të njohur si asistent regjisor, si : “Tingujt e luftës”, “Pas gjurmëve”, “Përballimi”, “Njeriu me top”, “Në shtëpinë tone”, “Në fillim të verës”, “Gjurmë në kaltërsi”, “Kolonel bunker”, “L’ Amerika” (ky i fundit i kineastit italian Xh. Amelio).
B. Kurti xhiroi në mënyrë të pavarur si regjisor filmin “Në pushimet verore” (1982, bashkautor me D. Thana (Koci) dhe më vonë, i vetëm, filmin “Mondi dhe Diana” (1985). Filma të tjerë të tij janë: “Këmishët me dyllë” (1987), “Tre veta kapërcejnë malin” (1988), “Fejesa e Blertës” (bashkautor me I. Zhabjakun), 1984, “Bardhësi”, 1986, “Djali elastik”, 1989 etj.
Në optikën tematike të filmave të tij janë më të ndjeshme ato që lidhen me botën e fëmijëve dhe formimin shpirtëror të rinisë, problemet e larme që shfaqen te këto dy kategori sociale në një shoqëri që pretendon referenca morale dhe modele të përkryera, në përputhje me kohën dhe substratin e saj politik, duke çmuar sakaq edhe dinamikën e brendshme të zhvillimit psikologjik të tyre, nevojën për progres, virtyte etj.
Pas vitit 1990 ka punuar si drejtor ekzekutiv në mjaft filma si dhe nëndrejtor teknik administrativ i Teatrit Kombëtar.