Janë disa rastet e vajzave të reja që pavarësisht profesionit, u përfshinë në kinematografinë shqiptare të viteve të komunizmit, pa plan.
Një ndër to ishte edhe Ermira Zyrakja, sot Lefort. Filmi “Eja”, ku Zyrakja pianiste luante me Artur Gorishtin, të dy nxënës të Akademisë së Arteve, u bë një nga kujtimet e saj më të bukura që asokohe nuk e përjetoi edhe aq lehtë.
Ermira jeton prej vitesh në Gjenevë të Zvicrës, por si të gjitha koleget e saj, ca më shumë se shqiptarët e tjerë që nuk qenë pjesë e artit, është e lidhur me Shqipërinë, sidomos prej këtyre fijeve që nuk do të ndërpriten asnjëherë.
Në intervistën që ka dhënë kohë më parë për “Panorama”, Ermira tregon sot gjithë ankthin e lojës, pjesë e së cilës u bë rastësisht, episode të paskuintave dhe ca siklete të prindërve, për ‘skenat e dashurisë’.
Si ndodhi që u bëtë pjesë e filmit “Eja”?
Më kujtohet kur ishim në shtëpinë e një regjisori të mirënjohur të Kinostudios. Kaluam një mbrëmje të bukur në miqësi studentore me muzikë dhe bëmë disa fotografi… Mbas disa kohësh, Pirro Milkani sheh rastësisht fotot tona (të gjithë studentë asokohe).
Më shikon dhe mua në foto dhe pyet kush është kjo vajzë? I thonë që është studente për piano. I isha dukur një portret i përshtatshëm për rolin protagonist të filmit të tij të ardhshëm.
Plus ekspresivitetit të portretit, siç u pa dhe më vonë, kisha ngjashmëri me aktoren Drita Nikolla, që do luante rolin e nënës sime në filmin artistik “Eja”. Një ditë, Bebi Milkani, bashkëshortja e Piro Milkanit (pedagoge e shquar e pianos në Konservator) vjen e më thotë se më kërkonin të bëja kinoprova për rolin e një filmi.
– Unë nuk jam dhe nuk studioj për aktore, – u përgjigja e habitur. Mbasi më tha që ishte një kënaqësi të luaja në një film artistik e duke parë hezitimin tim, shtoi: -Po bëje një herë kinoprovën se nuk është e sigurt nëse do ta marrësh ti rolin kryesor. Pranova për respekt… Plus që akoma nuk kisha biseduar me familjen.
Do të kundërshtonin?
Këtë nuk e dija! Në filmat e fundit e të suksesshëm të Pirro Milkanit, nuk ishte hera e parë që ai u jepte role protagonistësh, të rinjve e personave jo domosdoshmërisht të fakultetit të aktrimit…
Mbas kinoprovave, më lajmëruan se isha e përzgjedhur për rolin protagonist të Vjosanës, se kisha ekspresivitetin e duhur e natyrën sa të përmbajtur, por dhe aq të vendosur, siç ishte dhe karakteri i rolit të Vjosanës.
Më kërkonin të filloja xhirimet. Kur bisedova në familje, ata nuk ishin dakord, për arsye që do mungoja nga studimet e pianos dhe se xhirimet do bëheshin në 3 qytete të ndryshme Tiranë, Krujë e Librazhd, me javë e muaj…
Pastaj, një ditë, erdhën në shtëpi regjisori bashkë me një mik të familjes, që prindërit e mi e donin dhe e respektonin shumë, Vath Koreshin.
Arritën të binden?
Mbasi u bisedua për skenarin me detaje, thuajse arritën të binden, por kishte një episod që i shqetësonte..
Çfarë ishte?
Lidhja e të rinjve të dashuruar në film i shqetësonte. Sado që koha nuk lejonte shumë, ata nuk arrinin të kuptonin sesi dhe sa do të ekspozohesha në këtë lidhje dashurore, tabutë e kohës.
Megjithatë, familja ime pranoi të luaja në këtë film. Filluan xhirimet… Sinqerisht, interpretoja natyrshëm në zë, gjestikulacion e lëvizje… Isha thjesht unë domethënë… dhe po të doja, nuk dija të bëja ndryshe.
Kujtoj që skena ku duhej të qaja, zgjati shumë kohë, se nuk më vinte të qaja… Kërkoja artifice, nuk pranonin, duhet të qash vërtet më thoshin… Më linin vetëm, ekipi priste e unë prisja lotët duke u futur gjithnjë e më shumë në situatën e vajzës që kishte gjetur nënën në film, por sigurisht u lodha nga pritja.
Më vinte keq për gjithë ekipin që priste e lotët më dolën dhe për këtë e dëgjoj kameran që më filmoi mes lotëve e zërit të mekur paksa. Vetëm një sekuencë u bë dhe rezultoi e sukseshme. Ja pra pse regjisori me durimin dhe këmbënguljen e tij, donte xhirime reale.