105 vjet më parë lindi Marie Logoreci, një prej pionereve të kinematografisë shqiptare.
Talentin artistik e shpalosi që në rolet e para në teatrin e shkollës, por ajo u shqua edhe për talentin në muzikë. Në vitin 1945, nisi të këndojë në valët e Radio Tiranës dhe repertori i saj u zgjerua në koncertet e njëpasnjëshme të mbajtura brenda dhe jashtë vendit, shkruan atsh.
Në vitin 1947 u ngjit për herë të parë në skenën e Teatrit Popullor, për të mishëruar personazhin e Elmirës në kryekomedinë e Molierit, “Tartufi”.
Në ekranin e kinemasë u shfaq fillimisht në filmin “Skënderbeu” e më pas në filmin e parë shqiptar me metrazh të shkurtër, “Fëmijët e saj”, si edhe tek filmi i parë shqiptar i metrazhit të gjatë, “Tana”.
Disa prej roleve të saj të pritura më mirë nga publiku janë: Xhesi te “Çështja ruse”, Alisa Lengton te “Rrënjë të thella”, Kristina Padera tek “Komploti i të dënuarve”, Fatimja te “Halili dhe Hajrija”, Aljona Patrovna te “Gjashtë dashnorët”, Lokja tek “Toka jonë”, Gertruda tek “Hamleti”, Bernarda Alba te “Shtëpia e Bernarda Albës” dhe Gjela te “Përmbytja e madhe”.
Marie Logoreci ndërroi jetë në moshën 66-vjeçare, si pasojë e një ataku kardiak. Krahas urdhrave dhe medaljeve të shumta, artistja u nderua me titujt “Artiste e Popullit”, “Artiste e Merituar” dhe “Nderi i Kombit”.