Leka Kruta u lind në Vlorë në 19 shtator 1927. Mbetet simbol i humorit vlonjat dhe jo vetëm, por edhe një ndër humoristët më të medhenj shqiptarë. Së bashku me Myqerem Ferrën, ishin ndër të paret që themeluan estradën Profesioniste të Vlorës duke e ngritur atë në një stad të ri, duke u mbështetur në trashëgiminë e humoristëve paraardhës dhe duke lënë dhe vetë ata një trashëgimi të shkëlqyer.
Jeta artistike e Krutës, ka nisur në vitin 1944, kur, ai së bashku me Gaq Vishin (regjisor i Estradës së Vlorës, për shumë vite), jepnin shfaqje për qytetarët në sallën e kinema “Ali Demi”, në pushim të pjesëve të filmit. Ai vazhdoi të luante si aktor amator në trupën e Estradës së qytetit dhe prej vitit 1955, kur u krijua trupa profesioniste, u bë pjesëtar i saj.
Ka interpretuar mjaft skeçe me estradën, si një pjesë e pandarë e shfaqjeve pothuajse çdo natë, në sallën që ishte pranë Xhamisë së Muradies, e cila sot nuk ekziston më. Përmbajtja e skeçeve që interpretonin aktorët e kësaj estrade, merrej nga jeta. Kritikonin drejtorë, magazinierë, berberë, specialistë të fushave të ndryshme, pa permendur emra por, gjithsekush që ishte në sallë, e kuptonte se për cilin drejtues, apo “usta”, bëhej fjalë”,
Leka Kruta, në aktivitetin e tij më se 40-vjeçar, i numërohen 150 premiera dhe 800 personazhe. Një shifër e jashtëzakonshme, por kjo është specifika e aktorit të varietes, mbushur me një jetë të bukur por edhe shumë të vështirë.
Historia e Trupës së Estradës Profesioniste të Vlorës, është e lidhur ngushtë me emrin e Krutës, i cili, krahas aktorëve të tjerë të njohur si, Myqerrem Ferra, Qiriako Sava, ka krijuar një galeri personazhesh të mbetura thellë në medjet e atij spektatori që pati fatin ta ndiqte.
Për këtë kontribut përgjatë karrierës 40-vjeçare, është vlerësuar me titujt “Artist i Merituar”, “Qytetar Nderi i Vlorës”, dhe së fundi ish presidenti i Republikës Bamir Topi, i akordoi Urdhrin “Naim Frashëri i Artë”. Ndahet nga jeta në moshën 84 vjeçare më 21 mars 2011.