Aktori i qindra roleve, Reshat Arbana, Nderi i Kombit, festoi 85-vjetorin e lindjes.
Një nga figurat më të dashura të kinematografisë dhe teatrit shqiptar. Me një zë të fuqishëm në skenë dhe ekran, ai ka festuar mes miqsh e kolegësh, duke përcjellë mesazhe të ndjera për publikun që e duartrokiti dhe e deshi gjithë jetën.
“Emocionin që më keni falur ju mua sot, nuk kam të treguar. Sot mund të jetë dita e fundit që shohim miq dhe shokët që njohim, prandaj ta bëjmë sot atë që duam të bëjmë, mos ta lëmë për nesër. Të kërkojmë të falur dhe të themi sa më shumë falënderime e ta duam më shumë njëri-tjetrin. T’ë flasim gjëra të bukura”, u shpreh aktori Arbana.
Gjatë karrierës së tij të pasur artistike, ai ka interpretuar mbi 40 personazhe në film dhe qindra role në teatër, por ka një rol që nuk ka ardhur ende për mjeshtrin Reshat Arbana, siç është figura e Ali Pashë Tepelenës.
“Ali Pashën kisha qejf ta luaja. Jam dhe në moshë dhe, ndoshta, i ngjasoj sadopak. Figurë kontraverse është, por duhet se e njohin të gjithë”, tha ai.
Midis roleve të tij më të njohura janë Samiu në “Fije që priten” (1976), Isa Boletini në “Nëntori i dytë” (1982), Dajlan Beu në “Kush vdes në këmbë” (1984) dhe Kryetari i Këshillit në “Kur hapen dyert e jetës” (1986).
Për këto role, ai ka fituar edhe Medalionin e Festivaleve të Filmit në vitet 1985 dhe 1987.
Reshat Arbana ka lënë një gjurmë të paharrueshme në artin shqiptar, duke sjellë në jetë personazhe që pasqyrojnë shpirtin popullor dhe emocionet e përditshme të njerëzve të thjeshtë. – RTSH-