Pandi Raidhi nga Mevlan shanaj:
Të shumta janë mbresat, ndoshta jo edhe aq të qëlluara, sa bëmat e karaktereve të tij të pafundme të Pandi Raidhit. Nuk vijnë lehtë në ekran ato perla artistike nga trupi i një aktori, sado që t’i kesh nëpër trup e shpirt xhevahiret… Vitet ikin bashkë me moshën
dhe gjërat ndryshojnë.
Bashkë me to ndryshojnë edhe sjelljet, rrethanat e shumëçka edhe te njeriu dhe aktori. Por nikoqiri i mirë, Pandi Raidhi, ka ditur ku t’i stivojë floriçkat dhe sa herë që i duheshin, i rreshtonte dhe i sprovonte dhe kur dilte në skenë, ti bindeshe që kishte bërë zgjedhjen e duhur, duke e bërë të përsosur përqasjen e radhës.
Po kujtoj këtu mënyrën e tij të punës, që ishte e shtruar, e qëruar, e urtë, e pazhurmë. Ai e kryente në heshtje procesin krijues transformues. Kështu ishte njeriu-aktor Raidhi, i cili sillte nga jeta, ashtu të palatuar, shpirtin e njeriut të halleve, siç thoshte Dritëro Agolli në poemën “Devoll”: “Që erdhi si një trastë leshi nën gunë në Lidhjen e Shkrimtarëve, po Devoll i tillë qenkam unë”.
Kjo i shkon kaq shumë për shtati Pandi Raidhit, sepse gjithë jetës mbeti një copë shkëmbi në skenën dhe ekranin shqiptar. A nuk ishte kështu Partizan Meke në Pallatin e Brigadave! A nuk mbeti kështu fshatari te “Tokë e përgjakur”! A nuk na çuditi me Thanasin te “Hijet e natës”, Kasemin te “Këneta”, Xha Thomain te “Beni ecën vetë”, Platon Bubuqin te “Përballimi”!
Te të gjitha karakteret, që nga vitet e para e derisa mbylli sytë, ishte i ndryshëm, i vërtetë, gjithë derte dhe hokatar. Nuk dua të kujtoj këtu bashkëpunimet e shumta me të, që nga “I teti në bronz”, “Rrugicat që kërkonin diell”, “I paharruari”, por dua të kujtoj çastet kur, së bashku me kamerën e Pali Kukes, po i ribënim një portret, duke qëmtuar krijime të pafundme nga teatri, të cilin e kishte krijuar duke dhënë zemrën,shpirtin, rininë, jetën.
Në pushimet gjatë xhirimeve bisedat tona nuk ndaleshin dhe tirreshin njëra pas tjetrës. Ai tregonte ngjarje pa fund të jetës dhe në skenën e filmit me një thjeshtësi të lakmueshme. Çfarë njeriu i papërtuar që ishte! Kujtoj sa bukur e thurte cigaren, duke e dredhur me një mjeshtri të rrallë, si një ritual krijues, ashtu siç ndërtonte figurën artistike të personazhit që luante. Sa mall për atë dredhje cigareje nga i pavdekshmi Pandi Raidhi. E them me bindje profesionale: “Nuk vijnë më prej dheu figura si ai”!
Sikur të mundja të shkëmbeja një duhan sot me të! Nga libri” Të fshehta jashtë ekranit”