Është shfaqur në Tiranë në kuadër të Dea film Festival, filmi i fundit i Margarita Xhepës, “Vdekja le të presë” me regji të Edmond Topit.
Ndërsa ngjarjet zhvillohen në një azil, filmi kërkon të kthehet vëmendja nga mosha e tretë.
“Si do që të vejë puna, ju nuk duhet ta ndërprisni”! Portreti hijerëndë i Margarita Xhepës,. Shfaqet në ekranin e madh, ndërsa zëri i saj, potent dhe i trishtuar njëherësh, dëgjohen të jehojë pranë Universitetit të Arteve. Skena i takon filmit të saj të fundit, “Vdekja le të presë”.
Në të, ajo duket se lë porositë e mbrame para se të marrë udhën e pakthim, drejt jetës tjetër. Sepse në fakt, vdekja nuk priti dhe filmin e saj të fundit, ajo nuk e pa kurrë. Me Tinka Kurtin e Reshat Arbanën që shfaqen përkrah saj, shënohet edhe bashkëpunimi i fundit i një brezi aktorësh që patën fatin të jenë të parët në shumëçka, derisa ekrani i madh do të ruajë përgjithnjë kujtesën e tyre.
Filmi u shfaq në çelje të DEA FILM FESTIVAL, ndërsa regjisori Edmond Topi ia kushtoi atë ekipit të tij me të cilin realizon festivalin dhe filmin, duke nderuar po ashtu emrat e njohur të aktorëve që interpretojnë në film.
Produkt i një arti të angazhuar, filmi “Vdekja le të presë” sjell tërthorazi një histori të shkurtër të tranzicionit, shkelqimin e rënien e yjeve të artit, elemente të degradimit të shoqërisë, kaosin e shtetit, piramidat dhe problemet e mëdha sociale, trajtuar përmes humorit të një kaste aktrorësh që ndërsa jetojnë në azil, bëjnë art dhe luftojnë dukuritë e shtetit që sillet si modern, por mezi mbahet në këmbë.
Ndërsa synon të kthejë vëmendjen te mosha e tretë, duke i vendosur ngjarjet ne nje azil, filmi iu bën homazh artistëve që nuk jetojnë më, ose atyre që jetojnë duke ndjekur fatin e personazheve të filmit.