Raportuesja për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Isabel Santos konfirmoi se PE do të mbështesë vendimet ekzekutive të Departamentit Amerikan të Shtetit ndaj zyrtarëve, ish-zyrtarëve dhe personave të shpallur “non grata” në Ballkanin Perëndimor për përfshirje në korrupsion, duke i dërguar kështu një tjetër mesazh të fortë ish-kryeministrit Sali Berisha, i cili në maj të vitit 2021 u shpall person i padëshiruar nga Departamenti Amerikan i Shtetit.
Në një intervistë për një media shqiptare, zyrtarja portugeze bëri me dije se Shqipëria ka probleme të veçanta lidhur me luftën ndaj korrupsionit. Santos theksoi se Komisioni i Jashtëm i Parlamentit Europian ka hartuar rekomandime specifike për dënimin e zyrtarëve të lartë të korruptuar nga sistemi i drejtësisë.
“Shqipëria ka probleme specifike për luftën kundër korrupsionit. Ndaj, kemi bërë rekomandime të nevojshme për të ecur përpara, përfshirë këtu me dënimet finale për korrupsionin e zyrtarëve të lartë, nëse drejtësia e gjykon të tillë. Lidhur me sanksionet e SHBA-ve për Ballkanin Perëndimor, ne themi që jemi dakord me to dhe shohim si mundësi që të kemi të njëjtën qasje”, deklaroi raportuesja për Shqipërinë në PE, Isabel Santos.
Në këtë mënyrë, zyrtarja portugeze paralajmëron se personat e shpallur “non grata” nga SHBA në Shqipëri, ish-kryeministri Sali Berisha; ish-deputetët Aqif Rakipi dhe Tom Doshi, ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako; ish-Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla dhe biznesmeni Ylli Ndroqi mund t’u ndalohet hyrja në secilin prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian.
Santos la të kuptohej se Parlamenti Europian do të kërkojë dënime të rrepta për politikanët e të dyja kampeve politike pozitë-opozitë si dhe për zyrtarë të lartë shtetërore të përfshirë në korrupsion.
Duke qëndruar te sistemi shqiptar i drejtësisë, raportuesja për vendin tonë në Bruksel vlerësoi ecurinë në reformën në drejtësi duke veçuar votimin mazhorancë-opozitë për zgjatjen e mandatit të organeve të vetingut. “Ka një ndryshim të rëndësishëm dhe pozitiv në reformën në drejtësi që reflektohet dhe me aprovimin e zgjatjes së mandatit të organeve të Veting”, shtoi më tej Santos.
Santos: Nuk do të ketë shitblerje votash në 2025
E pyetur nëse do të ketë shitblerje votash në zgjedhjet parlamentare në Shqipëri në vitin 2025, Santos u shpreh se një gjë e tillë nuk do të ndodhë, duke vlerësuar përmirësimin e ligjit elektoral. Ajo vlerësoi kontributin e partive politike në vendin tonë në diskutimet për hartimin dhe miratimin e reformës zgjedhore.
Santos shpreson që autoritetet shqiptare të marrin në konsideratë konstatimet e saj për gjendjen e medias në Shqipëri. “Jam e sigurtë që kjo nuk do të ndodhë. Do të ketë përmirësime me ligjin e ri elektoral. E di që partitë politike po diskutojnë mbi përmirësimin e ligjit elektoral dhe besoj, se hapi i radhës do të jetë i rëndësishëm për të ofruar një proces demokratik më të mirë.
Ne i kushtojmë gjithashtu vëmendje problematikës së medias dhe jam e sigurtë, që rekomandimet e këtij raporti do të merren në konsideratë nga autoritetet shqiptare”, deklaroi Isabel Santos, raportuesja për ecurinë e procesit për hapjen e negociatave të integrimit të Shqipërisë në BE. /DARIO VELAJ