Nga Frrok Çupi
Kur Sali Berisha e shtyu Enkeled Alibeajn në foltoren e Kuvendit, kjo nuk mund të mbetej pa ndëshkim. Gjithë bota për këtë po flet, po çë!? Alibeaj mund ta kishte rrahur mirë e mirë Sali Berishën, mu aty para popullit.
Ndodhemi para një situate të re, edhe pse duket si kanunore.
Sali Berisha ka nisur t’i rrahë vetë njerëzit; pse?
Dikush thotë se ish- presidenti i Republikës dhe ish kryeministri, tani nuk ka armë në dorë, ndryshe do ta kishte vrarë tjetrin… Edhe mundet të kishte ndodhur kështu. Kur kishte armë Berisha e luajti fort dhe vrau. Vetë ka thënë se në zyrën e kryeministrit mbante në dorë një snajper drejtuar në kokën e kryetarit të opozitës. Vrau katër qytetarë që protestonin kundër korrupsionit, vrau 26 në Gërdec, vrau e zhduku Remzi Hoxhën, mbyti 180 në Otranto, vrau 3000 në luftën e tij ‘civile’. Bobo!, sa shumë, më shumë se në Kullat Binjake
Mirëpo nuk shtrohet çështja kështu: ‘Sikur të kishte armë në dorë…’. Berisha nuk vret me dëshmi; futet në shpellë dhe urdhëron të afërmit që të vrasin. Kësaj here Berisha e shtyu Alibeajn jo me vesin e shpellës, por me instinktin e kanunit: E turpëroi Alibeajn ‘faqe të tanëve’, siç thotë Kanuni. Berisha ka shkuar deri në zgripin mental saqë i thotë truri se ‘nuk shkele ligjin, ndërsa Kanuni nuk punon më’.
Po ta kishte rrahur Alibeaj, do të kishim një epokë të re tani:
Nuk po flas vetëm për hundën e fashuar të Berishës, por po flas për një ‘epokë kanunore’ që do të kishte hyrë në mes palëve të PD. Alibeaj është burrë më i fuqishëm, me një fëmijëri në punë krahu…, dhe, do ta kishte bërë… (ashtu!) Berishën. Nami u bëftë, Enkeled!; një herë burri e lanë veten. Por po kthehemi te epoka: Alibeaj është një djalë i ndrojtur, aq më shumë para Berishës.
Kur Saliut i vriste e priste shpata në diktaturë, Enkeledi i shikonte nga poshtë, plot frikë, xhelatët e diktaturës. Edhe sot e ka atë frikë para Saliut. Ta kishte hedhur peshk në dysheme, atëherë ta shikonte Saliu ‘hundëleshin’ e vuajtur sipër vetes. Dhe ndërkohë klasa e vuajtur, e përfaqësuar nga Enkeledi, do të merrte një herë hak ‘faqe të tanëve’; nami i bëftë!. Do ta kishin sulmuar këta lakenjtë e Berishës në Kuvend?… Sigurisht që po. Por as kështu nuk shpëton Alibeaj… Kjo pra është epoka.
Pse Berisha provokon Kanunin dhe shkel ligjin?
Ligjin nuk e ka njohur kurrë Berisha; ky është një ves që i vjen që nga Byroja Politike. Për t’u dëshmuar ‘burrë i ndershëm’ i është kthyer Kanunit: Besa, pabesia, zakonet, ‘nanën e këtij e nanën e atij’, ‘jashtë Amerika nga shtëpia jonë”… Kështu mërmërit Saliu.
Këto i bën me qëllim që të sigurojë mbrojtje kanunore, si ‘burrë i ndershëm’. Se ndryshe nuk mund ta shtynte tjetrin ‘faqe të tanëve’. Ka një normë, si katundi i Salës, si katundi im e çdo katund në Veri: ‘Burri nuk shtyhet, as pështyhet…’. Mirëpo Berisha ka siguri se Enkeledi nuk do t’i kthehej dhe kështu Saliu do ta linte të ‘pa nderë’; dhe kaq.
Saliu, siç ka një lidhje të tmerrshme me ligjin, po kështu e ka edhe me Kanunin. Kanunin e ka ‘state of mind’. Qysh të parët e tij e kishin shkelur keq Kanunin, kishin dhunuar priftin e fshatit, por atëherë kishte dalë ‘Hundëleshi’.
‘Kisha shpatë e konop, s’ka!’, thotë Kanuni, por hakun e Kishës e merr famullija. Famullija vendosi me u djeg shtëpinë, me u pre pemët dhe me i nxjerr nga katundi të parët e Berishës… Janë shkruar rreth kësaj historie mijëra faqe e dëshmi.
Vesi i prekjes së tjetrit në nder u përsërit në Kuvend. Por Alibeajn nuk e mbron famulija.
A do të ishte një nder apo detyrim i Alibeajt…?
Detyrimi i Alibeaj, së pari është ndaj vetes; pastaj ndaj popullit. Deri më tani ‘ligji i shtetit’ nuk po vepron mbi Berishën; ndërsa turpi i Berishës po rëndon mbi të gjithë popullin. Enkeledit ia ka ba ballin ‘të vrugnuem’. Ish presidenti i Partisë dhe i vendit i erdhi Enkeledit në foltore me perlimin ‘me ia lënë turpin në ballë’. Mund t’i kishte shkuar edhe në kafe, edhe në shtëpi, e kudo. E pse kështu? Se Berisha kanunor qenka ‘burrë më i mirë se tjetri!’.
Atëherë Alibeaj duhet t’i tregonte ‘para tanëve’ se kjo nuk është e vërtetë.
‘Kanuni i Maleve të Shqypnis nuk e veçon nierin prej nierit. “Shpirt per shpirt, sè duken e falë Zoti. I koritmi e ka derën çilë për nga nderi”, thotë Kanuni. Edhe Enkeledi.
Paragrafi 594: ‘I miri e i keqi kàn nji çmim”. ‘Kanûja thotë: në daç, fale, po deshte ma mirë laje ballin e vrugnuem’.
Puna është se pas kësaj me Alibeajn, Saliu nuk mund të rrahë krejt popullin, një për një.