Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka mbyllur dje procesin për 2 vakancat e shpallura në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata e Lartë duhet të plotësojë 3 vende bosh në Kushtetuese dhe për dy prej tyre puna ka vijuar prej muajsh, ndërkohë që dje u zgjodh dhe kandidati i fundit.
Dje u shqyrtua kandidatura e zotit Sandër Beci, i cili u kualifikua për vendin vakant të lënë nga Fatmir Hoxha dhe vakancën e Vitore Tushës, duke çuar në 4 numrin e kandidatëve.
Pak ditë më parë KED kualifikoi kandidatin Ervin Karamuço për të dyja vakancat, atë të Vitore Tushës dhe atë të Fatmir Hoxhës. Ndërkohë u kualifikuan Albert Demirneli dhe Alket Jaupi për vakancën e lënë nga Fatmir Hoxha.
“Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, pasi shqyrtoi aktet dhe procedurën e ndjekur për verifikimin e kandidaturave dhe dokumentacionin e përgatitur lidhur me plotësimin e kushteve ligjore për kandidim, për secilin kandidat të përcaktuar në rendin e ditës, pasi dëgjoi edhe mendimin e Avokatit të Popullit lidhur me procedurën e ndjekur në verifikimin e kandidaturave, vendosi:
1. Përfundimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes për kandidatin Vatë Stakaj, për shkak të dorëheqjes për kandidim, për vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha dhe Znj. Vitore Tusha. 2. Lejimin e kandidimit dhe vijimin e procedurës së vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes të kandidatëve për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Z. Sandër Beci, për vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha dhe Znj. Vitore Tusha.
Vendimet e plota dhe të zbardhura do të publikohen të arsyetuara në faqen zyrtare ueb të Gjykatës së Lartë, në pjesën e caktuar për Këshillin e Emërimeve në Drejtësi”, njoftoi KED.
Meta luftë të fortë
Në njoftimin e KED bëhet me dije se këshilli vendosi të vijojë me procedurën e vlerësimit, pikëzimit dhe renditjes së kandidaturave të lejuara vetëm për vendin vakant të Z. Fatmir Hoxha, por jo për atë të Vitore Tushës.
Ditën e hënë mësohet se KED do të diskutojë për këtë çështje. Sipas burimeve po bëhet një luftë e fortë në prapaskenë nga presidenti për të mos lejuar plotësimin e kësaj vakance. Njerëzit e tij në KED po lobojnë fort që të kemi vetëm zëvendësimin e Fatmir Hoxhës dhe Tusha të vijojë të jetë aty, duke tentuar rihapjen e garës.
Për vendin e Hoxhës kandidojnë të katërt kandidatët, por për atë të Tushës garojnë vetëm zoti Karamuço dhe zoti Beci. Vërtet ligji për Kushtetuesen shprehet se Gjykatës së Lartë i shkojnë 3 emra dhe më pas ata hidhet në votim dhe kush ka më shumë vota zgjidhet.
Por nëse kthehemi pas në kohë, ky përcaktim është shkelur. Përveç përzgjedhjes së 3 anëtarëve të parë në Kushtetuese, 3 emrat e tjerë janë zgjedhur duke anashkaluar ligjin, pasi nuk ka pasur 3 kandidatë, por dy ose një.
Por duket se këtë herë amerikanët kanë qenë disi të tërhequr dhe po luhet fort nga njerëzit e presidentit që të rihapet gara pasi nuk ka 3 emra sikundër e përcakton ligji. Por ku fle lepuri?
E vetmja dosje e rëndësishme që ka Kushtetuesja në dorë është ajo e shkarkimit të presidentit. Më 18 janar mbahet seanca gjyqësore dhe duke u larguar Vitore Tusha balancat prishen.
Vendimi për zgjedhjet vendore dëshmoi se presidenti nuk ka shumë ndikim aty dhe emërimi i 2 emrave të tjerë bën që Meta maksimumi të ketë vetëm dy vota të sigurta. Prandaj po luhet fort që Vitore Tusha të mbahet në detyrë edhe pse ka më shumë se 3 vite pa mandat.