Lazer Vlashi lindi në Durrës, më 15 shtator 1919 dhe u nda nga jeta me 9 tetor 2015. U aktivizua qysh herët në Lëvizjen Teatrore Amatore të qytetit të lindjes. Krahas roleve të meshkujve, ai interpretoi edhe disa role femrash në vitet ’30 për mungesë aktorësh, sikundër janë Olimbia te “Lulja e kujtimit” e Foqion Postolit, Dia tek “I mjeri djalë” dhe mbretëresha te “Karlo Topia” të Kristo Floqit etj.
Aftësitë e tij aktoriale në grupin amator pranë Shtepisë së Kulturës Durrës, bënë që në vitin 1948, pas një konkursi, të fillonte punë si aktor profesionist në Teatrin Popullor në Tiranë. Aty kreu edhe një kurs njëvjeçar kualifikimi për aktor, në studiot që ngriheshin herë pas here. Roli i tij i parë ishte Celuhovi në dramën “Guvernatori i provincës”, më 1949.
Luajti në skenën e Teatrit Popullor për 40 vjet, duke mishëruar mbi 100 role, kryesisht të dyta dhe episodike. U shqua në portretizimin e tipave dhe karaktereve që vinin, më të shumtët, nga shtresat intelektuale e qytetare, njerëz me sqimë, aristokratë të sjelljes, zyrtarë të lartë e cinikë, sikundër edhe oficerë dhe ushtarakë nervozë nga forcat pushtuese, burra ironikë e me temperament, të moshuar shpirtbardhë apo pleq shpotitës, tipa ambiciozë etj.
Kjo u pa në shfaqjet: “Guvernatori i provincës”, “Orët e Kremlinit”, “Përmbysja”, “I çuditshmi, “Shtatë shaljanët”, “Mbi gërmadha”, “Hamleti”, “Otello”, “Mbreti Ilir”, “Gratë gazmore të Uindsorit”, “Një letër e humbur”, “Doktor Aleksi”, “Cuca e maleve”, “Lumi i vdekur”, “Arturo Ui”, “Një nuse për Stasin”, “Komunistët” “Valsi i Titanikut” etj.
Në kinematografi ka marrë pjesë në filma të ndryshëm me role të vogla, ku ka spikatur te filmi “Debatik” (kuestori), “Njësiti gueril” (oficeri fashist), “Ndërgjegja” (prokurori), “Mysafiri” (agjenti i huaj) etj.
L. Vlashi ka interpretuar me qindra figura në “Radio Tirana”, si radiodramatizime në emisione të ndryshme të saj dhe posaçërisht te “Teatri në ekran”. Aktrimi i tij skenik, për hirin e tij fizik, syrin zhbirues, qetësinë dhe sigurinë, sikurse për trajtimin plastik të rolit, rëndom me levizje të prera e të kontrolluara, për temperamentin dhe ritmin e shpejtë gjatë situatave të ndera etj.